Artan Shkreli, një nga miqtë e publicistit dhe aktivistit të njohur Artan Lame, mbajti fjalim në ceremoninë e lamtumirës.

Ai e përshkroi Artan Lamen unik, student kurioz të inxhinierisë, bashkëshort të përkushtuar dhe baba të dhembshur.

“Sot është një dhimbje e madhe për të gjithë. Sot po ndahemi nga një pjesë e vetes sonë. Artan Lame ishte unik, djali i madh dhe i dashur i prindërve, studenti kurioz i inxhinierisë, bashkëshort i përkushtuar dhe baba i dhembshur. Ai qe ndër të parët drejtorë të trashëgimisë kulturore, ishte aktivist karizmatik i mbrojtjes së kauzave, si drejtor i ALUIZMI-t ai ndihmoi me legalizimin e shtëpive për shumë qytetarë dhe publicist i jashtëzakonshëm.

Artan Lame ishte i shumëanshëm. Ai ishte vëlla im prej një jete. Ishte një mik i shquar, kemi folur për historinë, për Shqipërinë. Ishte i ndershëm deri në fund dhe fisnik në heshtje. E kishte zemrën e madhe dhe të lodhur, ai dha më tepër nga se mori”, tha Shkreli.