Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në mëngjes në një lokal në qytetin e Romës në Itali. Një person u fut brenda lokalit, ku po zhvillohej një takim nga një organizatë, dhe qëlloi me pistoletë mbi qytetarët e pranishëm.
Si pasojë e të shtënave mbetën të vrara 3 gra, ndërsa u plagosën katër të tjerë. Sipas dëshmitarëve, autori 57-vjeçar, Claudio Campiti, hyri në lokal dhe bërtiti “do ju vras të gjithëve” e më pas qëlloi me pistoletë në drejtim të pranishmëve.
Sipas mediave italiane, Campiti dyshohet se e mori armën nga një poligon qitjeje dhe iu drejtua lokalit.
Pasi hyri në lokal, qëlloi menjëherë në drejtim të bordit të organizatës që drejtonin takimin. Disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë pas ngjarjes, policia bëri të mundur arrestimin e 57-vjeçarit. Deri më tani, mediat italiane nuk kanë zbuluar arsyet e ngjarjes së rëndë.