Rusia ka paralajmëruar Lituaninë për pasoja “serioze” pasi ndaloi transferimin hekurudhor të disa mallrave në territorin rus të Kaliningradit.
Rusia “me siguri do t’i përgjigjet veprimeve të tilla armiqësore”, tha zyrtari i lartë i sigurisë Nikolai Patrushev.
Lituania nga ana tjetër thotë se po ndjek vetëm sanksionet e BE-së të vendosura për pushtimin e Ukrainës nga Moska.
Kaliningrad – një rajon strategjik, ku është selia e Flotës Balltike të Rusisë – nuk ka kufi me Rusinë kontinentale.
Territori perëndimor u aneksua nga Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945 dhe kufizohet nga anëtarët e BE-së dhe NATO-s, si Lituania dhe Polonia.
Rajoni – ku jetojnë rreth një milion njerëz – mbështetet shumë nga importet e lëndëve të para dhe pjesëve rezervë që vijnë nga Rusia dhe BE.
Guvernatori rajonal Anton Alikhanov tha se bllokimi do të prekte rreth 50% të artikujve që importon Kaliningradi.
Gjatë një vizite të martën në Kaliningrad, Patrushev tha se bllokada nga Lituania ishte nxitur nga Perëndimi “në shkelje të ligjit ndërkombëtar”.
Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë paralajmëroi se “masat e duhura” do të merren “në të ardhmen e afërt”.
“Pasojat e tyre do të kenë një ndikim serioz negativ në popullatën e Lituanisë”, shtoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Më herët të martën, ambasadori i BE-së u thirr në ministrinë e jashtme ruse në lidhje me bllokadën.