Policia ka zbarkuar sot (7 janar) në orët e mbrëmjes në shtëpinë e Ervis Martinaj në Surrel. Sipas Panorama, në banesë janë marrë vetëm disa dokumente, ndërsa mësohet se në banesë nuk ka pasur asnjeri.
Kontrolli në vilën e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt u dha me urdhër të SPAK, ndërsa më herët gazetari Artan Hoxha tha se forcat speciale për më shumë se dy orë mbajtën të rrethuar shtëpinë e Martinajt.
“Burime nga drejtuesit e aksionit ne Surrel, konfirmuan se, veprimet po kryhen ne kuader te hetimit te SPAK, ne lidhje me operacionin “Plumbi i arte”, i nisur pas deshmive te bashkepunetorit te drejtesise Nuredin Dumani”, shkroi gazetari Hoxha në Facebook.
Kujtojmë që më datë 26 dhjetor 2022, policia zhvilloi kontrolle në Fushë Kuqe, në dy banesa në pronësi të Martinajt.
Këto kontrolle u kryen me vendim gjykate në funksion të dosjes hetimore që SPAK ka hapur ndaj Ervis Martinajt pas operacionit “Plumbi i Artë” si edhe për të shuar pikëpyetjen për fatin e të shumëkërkuarit i cili u denoncua i zhdukur që më 9 gusht nga familjarët.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej datës 2 gusht të vitit te kaluar, ku zhdukja e tij u denoncua në polici nga xhaxhai. Martinaj humbi gjurmët pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i tha se ai i kishte kërkuar të vriste Endrit Doklen, kundrejt pagesës 500 mijë euro, vrasje e cila nuk u realizua.