Duke lexuar tekstin e betimit para deputetëve të Parlamentit të Malit të Zi, ministrave, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe liderëve të vendeve të rajonit, Jakov Millatoviq zyrtarisht mori detyrën e presidentit të Malit të Zi.
“Betohem se do të kryej detyrën e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri. Sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Millatoviq në sallën plenare të Parlamentit të Malit të Zi, gjë që shënoi fillimin e mandatit të tij pesëvjeçar presidencial.
Në fjalimin e tij inaugurues, Millatoviq tha se ishte i nderuar dhe krenar që mori detyrën e presidentit duke bërë betimin:
“Do të jem një president i vërtetë i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, politike apo fetare”.
Në ceremoni janë të pranishëm edhe deputetë të Kuvendit të Malit të Zi, përfaqësues të qeverisë, organeve të drejtësisë, si dhe presidenti i deritashëm i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, të cilin Millatoviq e mposhti bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në fillim të prillit. Pjesa qendrore e qytetit të Podgoricës është bllokuar që nga mëngjesi, si dhe rruga për në aeroport.