Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u shfaq për herë të parë publikisht këtë të premte, pas njoftimit të muajit të kaluar nga zyra e tij se është diagnostikuar me kancer agresiv të prostatës. Duke folur për gazetarët, Biden u shpreh optimist për gjendjen e tij shëndetësore.
“Parashikimi është i mirë. Po punojmë për gjithçka. Po ecën përpara, ndaj ndjehem mirë”, tha ai.
Biden bëri të ditur se tashmë ka përzgjedhur planin e trajtimit që do të ndjekë, duke përfshirë një kombinim ilaçesh. Sipas tij, kanceri nuk është përhapur në organe të tjera dhe as në kocka, dhe kjo i jep shpresë për një rikuperim të plotë.
“Prishet që ta kalojmë këtë. Jam mirë, edhe familja ime është optimiste”, shtoi ai, duke nënvizuar se ndiqet nga “një nga kirurgët më të mirë në botë”.
Reagon me humor ndaj kritikave për aftësinë mendore.
I pyetur për diskutimet publike që kanë lindur mbi aftësinë e tij mendore dhe fizike gjatë kohës që ishte në detyrë, Biden reagoi me humor:
“E shihni – jam i paaftë mendërisht dhe nuk mund të ec”, tha me ironi, duke buzëqeshur. Për ata që e kundërshtuan kandidimin e tij: “Pse nuk dolën përballë meje?”
Në lidhje me zërat nga radhët e Partisë Demokratike që thonë se nuk duhet të kishte rikandiduar, Biden ishte i prerë:
“Pse nuk dolën kundër meje? Sepse do t’i kisha mundur,” u përgjigj ai, duke theksuar se nuk pendohet për vendimin për të kandiduar sërish.
Sipas tij, bota po kalon një periudhë kyçe: “Jemi në një pikë kthese. Vendimet që do të marrim tani do të përcaktojnë se si do të jetë bota për 20 vitet e ardhshme,” tha ish-presidenti amerikan, duke u shprehur krenar për kontributin e tij gjatë presidencës.