Një prej protestuesve që u përmend pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama si person me “precedent të theksuar kriminal”, ka reaguar nga podiumi i protestës së 35-të kombëtare para Kryeministrisë, duke paralajmëruar se do të ngrejë padi penale ndaj kreut të qeverisë për shpifje.

Pak ditë më parë, Rama publikoi në Facebook fotografinë e protestuesit dhe renditi tetë procedime, duke e paraqitur si një person me precedentë penalë.

Në fjalën e tij para mijëra protestuesve, qytetari deklaroi se akuzat e bëra ndaj tij janë të pavërteta dhe se do t’i drejtohet drejtësisë.

“Unë jam ai ‘krimineli’ që më nxori Rama dhe ministrat para disa ditësh me fytyrë, duke më shpikur vepra penale që gjoja i kisha kryer. Do të bëj padi ndaj Ramës”, u shpreh ai.

Më tej, ai e zhvendosi fokusin te protestuesit e arrestuar gjatë tubimeve të fundit, duke bërë thirrje për lirimin e tyre.

“Kam një thirrje sot: Lironi vëllezërit tanë! Lironi çunat! Të gjithë nesër para gjykatës që të nxjerrim djemtë tanë. Jemi këtu sot sepse na ka thirrur zemra”, tha protestuesi.

© BalkanWeb

GEAM Sh.p.k