Erion Murataj PSD

Gjykata e Apelit la në burg një 49-vjeçar nën akuzë për mashtrim, pasi u prezantua si prokuror i SPAK, që sipas tij, e kishte dërguar kryeprokurori Altin Dumani për ta hetuar.

Pas arrestimit, Alban Muço, i dyshuar për mashtrim dhe përvetësim të titullit, kishte kërkuar në gjykatë një masë më të lehtë, por u refuzua nga gjyqtari i Apelit, Sokol Pina.

Në vendimin që TCH citon, tregohet se si prokurori i rremë ishte paraqitur pranë agjencisë së Kadastrës në Berat dhe ka kërkuar disa dokumenta. E kthyer në një dëshmitare për grupin e hetimit, Osiana Zaimi, drejtoreshë e ASHK Berat, tregon se si e priti prokurorin që kërkoi takim në zyrë.

“Jam prokuror i SPAK,” – i tha Muço – “dhe kam ardhur me porosi të eprorit për të verifikuar denoncimin e një shtetaseje.”

Për këtë arsye, prokurori i rremë ka kërkuar nëse ASHK Berat posedonte apo jo dokumente pronësie të denoncueses.

Siç rezulton në dosje, drejtoresha ia ka vendosur në dispozicion menjëherë dosjen e AMTP-ve, të cilën në përfundim prokurori i rremë ka përpiluar një procesverbal me shkrim dore, të cilin drejtoresha e ka protokolluar.

Prokurori i SPAK, siç shprehet zyrtarja, e ka informuar se në vazhdim ai do të udhëtonte drejt Skraparit për të hetuar pronat e një avokati. Drejtoresha ka filluar të dyshojë vetëm kur prokurori i rremë i SPAK është larguar nga zyra dhe ajo është kujtuar se prokurori i SPAK nuk i kishte paraqitur dokument identifikimi, dhe për më tepër, ajo nuk kishte dëgjuar asnjëherë se Alban Muço punonte prokuror në SPAK.