Ministri Taulant Balla theksoi se deri më 30 qershor duhet të miratohen 5 projektligjet, të cilat janë çelësi për të hapur rrugën e financimeve evropiane.

Miratimi i këtyre ligjeve është kusht për disbursimin e fondeve nga Bashkimi Evropian në kuadër të Reform and Groëth Facility, ku Shqipëria mund të përfitojë 27 milionë euro mbështetje buxhetore me kusht që këto ligje të miratohen brenda datës 30 qershor, sipas afatit të përcaktuar nga Komisioni Evropian.

Miratimi i tyre, thekson Balla, formëson bindjen se Shqipëria avancon progresivisht me reformat evropiane në sektorët e poshtë përmendur ekonomik me shpejtësi e angazhim serioz.

Fjala e Ballës:

PSE (10)PROJEKT-LIGJET DUHET TE MIRATOHEN DERI NË 30 QERSHOR, 2025

AGENDA EUROPIANE 2025

Së pari,

Siç jeni në dijeni, Bashkimi Evropian ka miratuar Facilitetin Për Reforma dhe Rritje (të cilin Kuvendi e miratoi me Ligj në Mars të vitit, 2025) për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, që parashikon mundësinë që Shqipëria të përfitojë deri në 922 milion Euro (kredi dhe grant), në formën e mbështetjes buxhetore, përkundrejt zbatimit të reformave evropiane – masave që parashikon Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027 e Shqipërisë.

Kjo Agjendë Reformash që parashikon masa, edhe të natyrës legjislative, për t’u përmbushur nga Shqipëria me afat çdo 6 muaj, është tashmë në zbatim aktiv dhe përfaqëson një angazhim të qartë të Shqipërisë për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian përmes, reformave që sjellin përfitime konkrete financiare për vendin, si dhe për bizneset dhe qytetarët tanë.

Në kuadër të kësaj Agjende, Shqipëria ka një mundësi të “artë” për të përfituar financim të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian, nëse përmbush në kohë dhe cilësi masat e dakorduara.

Në kuadër të saj, Shqipëria ka marrë angazhimin për të miratuar (duke përafruar Acquis të Bashkimit Evropian), 5 projekt-ligjet si më poshtë vijon, të  cilat duhet të  miratohen brenda 30 Qershorit, 2025, për të respektuar kështu afatin e angazhimit ndaj Bashkimit Evropian, ku përmbushja e këtij angazhimi i sjell Shqipërisë mundësinë të përfitojë mbështetjen financiare përkatëse nga Bashkimi Evropian, përveçse formëson bindjen se Shqipëria avancon progresivisht me reformat evropiane në sektorët e poshtë përmendur ekonomik me shpejtësi e angazhim serioz.

5 nga projekt- ligjet që kemi aktualisht në proces miratimi janë pjesë përbërëse e kësaj Agjende dhe përbëjnë kushte të domosdoshme për disbursimin e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë. Këto janë:

  • Dy projekt-ligje në sektorin e bujqësisë: që përafrojnë plotësisht Acquis të Bashkimit Evropian, duke shënuar një hap të madh para në këtë fushë – projekt-ligji për shëndetin e bimëve dhe projekt-ligji për shëndetin e kafshëve;
  • Dy projekt-ligje në sektorin e energjisë: projekt-ligji për energjinë e rinovueshme nga biomasa/biokarburantet dhe projekt-ligji për performancën energjetike të ndërtesave;
  • Një ligj në fushën e shtetit të së drejtës: projekti-ligji për ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, një nismë shumë e rëndësishme në fushën e bashkëpunimit me BE etj., në lidhje me identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve nga aktivitetet kriminale (përfarim i Acquis në fushën e luftës kundër krimit të organizuar).

Miratimi i këtyre ligjeve është kusht për disbursimin e fondeve nga Bashkimi Evropian në kuadër të Reform and Growth Facility, ku Shqipëria mund të përfitojë 27 milionë Euro mbështetje buxhetore, me kusht që këto ligje të miratohen brenda datës 30 qershor, sipas afatit të përcaktuar nga Komisioni Evropian.

Së dyti,

Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm para në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, duke hapur në rreth 8 muaj, negociatat për anëtarësim, për 24 nga 33 kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian:

  • Tetor 2024: Grupkapitulli 1 – Themelorët
  • Dhjetor 2024: Grukapitulli 6 – Marrëdhëniet e Jashtme
  • Prill 2025: Grupkapitulli 2 – Tregu i Brendshëm
  • Maj 2025: Grupkapitulli 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse

Shqipëria synon të avancojë me përgatitjet për negociatat teknike për të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2027, një sfidë e madhe dhe e fortë, por njëherësh, një mundësi e madhe po ashtu drejt anëtarësimit, si dhe të plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.

Faza tjetër e procesit të negociatave është fillimi i mbylljes së negociatave për kapitujt që u çelën si më sipër. Për të nisur mbylljen e negociatave, Shqipëria duhet të plotësojë disa kushte – të njohura si “kushtet/piketat e ndërmjetme” – pra mbas çeljes dhe para mbylljes së negociatave, të cilat i janë vendosur në dy kapitujt kyç të “Themeloreve” – kapitulli 23 dhe 24, përkatësisht “drejtësia dhe të drejtat e njeriut” dhe “siguria dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit”.

Piketat e ndërmjetme janë kushte reformash, të cilat shpesh realizohen edhe përmes masave legjislative, të detyrueshme e të kërkuara nga BE në Kapitujt 23 “Drejtësia dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, pjesë e Grupkapitullit 1 “Themeloret”. Këto kritere synojnë të sigurojnë zbatimin efektiv të reformave të qëndrueshme në fusha si:

  • Pavarësia dhe efikasiteti i gjyqësorit
  • Lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i mekanizmave të integritetit
  • Lufta kundër krimit të organizuar
  • Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore

Shqipëria nuk mund të avancojë me procesin e negociatave dhe të fillojë të mbyllë kapitujt pa përmbushur këto kushte të ndërmjetmeAto shërbejnë si garanci që reformat janë reale, efektive dhe të pakthyeshme dhe që progresi në luftën kundër krimit, korrupsionit, dhe në sistemin e drejtësisë është konsekuent dhe vullneti për reforma i konsoliduar.

 Në këtë kuptim,

5 nga projekt-ligjet që kemi aktualisht në proces miratimi janë pjesë përbërëse e kushteve të domosdoshme për t’u përmbushur për progresin në shtetin e së drejtës dhe për të garantuar miratimin nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare, të kalimit në fazën tjetër të negociatave –atë të mbylljes së negociatave për të gjithë kapitujt dhe jo vetëm për ato dy kapituj ku këto kushte janë vendosur. Këto janë:

  • 3 projekt-ligje në fushën e sigurisë publike, emigracionit etj: ai për përpunimin e informacionit të pasagjerit në Republikën e Shqipërisë, projekt-ligjit për të huajt, dhe ai për kontrollin kufitar – kushte të ndërmjetme në Kapitullin 24;
  • 1 projekt-ligj në fushën e pronave: ai për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronës, i lidhur me Kapitullin 23.

 Miratimi i akteve ligjore që plotësojnë piketat ndërmjetëse është një hap kyç dhe i domosdoshëm për përparimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe arritjen e objektivit për negociatat brenda vitit 2027.

Së treti,

Bashkimi Evropian dhe Shqipëria duhet të miratojnë Marrëveshjen për Programin e Bashkimit Evropian për “Doganat”, pasi kjo i hap rrugë mbështetjes së Doganave tona për të përfituar nga ky program, teksa Shqipëria pregatitet për Bashkimin Doganor me Bashkimin Evropian, në rrugën drejt anëtarësimit. Përshpejtimi i miratimit të kësaj Marrëveshjeje është kërkuar specifikisht nga Komisioni Evropian, DG ENEST, përmes Drejtorit të tij të Përgjithshëm, duke theksuar rëndësinë.

Për këtë, sot kemi në miratim Projektligjin për Marrëveshjen midis Republikës së Shqipërisë dhe Programit të Doganave, me precedencë.

Të nderuar kolegë,

Këto projekt-ligje nuk janë thjesht ligje teknike. Ato janë çelësi për të hapur rrugën e financimeve evropiane, për të avancuar drejt mbylljes së negociatave për anëtarësim, e për t’u integruar në Bashkimin Evropian.