Kjo javë do të jetë e ngrohtë por e lagësht. Meteorologia Lajda Porja thotë se e hëna ka nisur me rritje temperaturash, të cilat do të na shoqërojnë gjatë gjithë javës. Reshjet e shiut pritet të intensifikohen në pjesën e dytë të ditës, ku situata më problematike do të paraqitet kryesisht në Shkodër dhe Lezhë.
E enjtja dhe e premtja do të sjellë reshje më të dendura shiu. Në zonat malore do të ketë reshje të pakta dëbore, kryesisht në veri-lindje. Ndërkohë, sa i përket temperaturave, minimalja regjistrohet në minus 1 gradë në juglindje të vendit ndërsa maksimalja do të regjistrohet në jugperëndim me 14 gradë.
“Kjo javë ka nisur nën ndikimin e masave të paqëndrueshme, që do të mbeten prezente pothuajse gjatë gjithë javës. Në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje të pakta por në pjesën e dytë të ditës do të kemi intensifimim të reshjeve, më së shumti në zonat veri-perëndimore, ku situata do të paraqitet problematike në Shkodër dhe Lezhë. Reshje më të pakta do të kenë zonat qendrore edhe jugu, kryesisht qarku i Vlorës, do të ketë shira me intensitet të lartë. Sa i përket zonave malore, edhe pse ka pasur rritje të ndjeshme të temperaturave, pritet që të kemi reshje të pakta dëbore, kryesisht në ekstremin veri-verilindje. Ndërkohë, situata termike ka pësuar ndryshime drastike, ku ka pasur rritje me të paktën 4 gradë në orët e para të mëngjesit nga një fundjavë shumë e ftohtë. Minimalja sot regjistrohet në Bajram Curri dhe në Kukës -2 gradë, -1 dhe -2 gradë në zonat juglindore dhe më pas e gjithë pjesa e territorit është në vlera pozitive. Zonat e ulëta shënojnë 5 gradë dhe zonat bregdetare 9 gradë. Maksimalja do të regjistrohet në jugperëndim të vendit deri në 14 gradë. Kjo javë do të jetë e ngrohtë, temperaturat do të pësojnë rritje duke filluar nga e marta e deri në fundjavë, megjithatë presim që reshjet të dendura shiu të kemi të enjten dhe të premten.“, theksoi Porja