Detaje të reja kanë dalë lidhur me megaoperacionin e zhvilluar disa ditë më parë në bashkëpunim me antimafien italiane dhe Policinë Shqiptare.
Nga përgjimet e kryera është regjistruar një bisedë mes dy anëtarëve të organizatës, përkatësisht Enkeleda Bakalli dhe Rexhep Dallupi, ku ky i fundit i thotë se furnizuesi i kreut të organizatës, Emirjan Beu, me nofkën “Noizy”, duhet të marrë një pagesë prej 600 mijë eurosh.
Ndërkohë sot, GJKKO ka konfirmuar masat e sigurisë për 15 të arrestuarit në kuadër të operacionit për shkatërrimin e grupit kriminal të trafikut të drogës Shqipëri Itali. Janë konfirmuar 14 masa ‘arrest me burg’ dhe 1 masë “arrest shtëpie”. Kanë qenë 21 urdhrat e arrestit por 6 persona janë ende në kërkim.
Pjesë nga dosja:
Rexhep Dallupi: Nuk është ashtu, se ai (Alfred Luli) punonte dhe fitonte…i pëlqente, mori lekë, dmth Noizy (Emirjan Beu) nga (Alfred Luli) dmth ai çuni tjetër (furnizuesi i Noizy-t) ka për të marrë 500-600 mijë euro. Noizy po më thoshte një ditë “u futa në telashe me robin tim (me furnitorin) prej atij (prej Alfred Lulit) dhe ai tha (furnizuesi) që e vret, por unë nuk ia thash këtë.
Enkeleda Bakalli: Po për atë zemra ke marrë vesh gjë? (Për Alfred Lulin)
Rexhep Dallupi: Jo nuk kam takuar asnjë, kë të takoja?
Enkeleda Bakalli: Më vjen keq për atë (Luli Alfred) është djalë i mirë, na e ulte
Rexhep Dallupi: Po është i mirë, të paktën të takoja vëllain e tij (Gjergji Luli) po nuk i kam numrin e telefonit t’i jepja 500 euro për t’ia çuar atij për ta respektuar.
Gjithashtu në dosjen hetimore tregohet edhe mënyra se si grupi funksiononte dhe kodet që përdornin anëtarët e organizatës për të mos u kapur nga autoritetet, si përshembull “mushka”, “tym” “A”.
Kujtojmë se më 26 Janar 30 persona u arrestuan gjatë një megaoperacioni të autoriteteve italiane në bashkëpunim me SPAK, policinë europiane Eurojust dhe Interpol, për goditjen e një rrjeti të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali.
Sipas SPAK, tre shqiptarë të arrestuar ishin drejtues të këtij grupi kriminal që funksiononte kryesisht nga qyteti i Durrësit prej ku droga trafikohej në qytetet italiane të Bergamos, Milanos dhe Torinos.
Mes të arrestuarve janë shtetasit: Branjol Liço, Gernard Beu; Dorian Beu; Syrjan Tola, Igli Lala alias Oltion Lala; Ramazan Grada; Florind Vukaj; Gjergj Zefi, Renato Zefi; Rexhep Dallupi; Alfred Luli; Gjergj Luli; Saimir Prenga; Lorik Prengaj,Fabio Prenga, Francesko Çeçi, Ilir Duro; Lulzim Selimi; Dhimiter Nina; Eliedo Dedej ndersa nen masen e arrestit shtepiak do hetohet Enkeleda Bakalli.
Veprimet dhe pagesat e grupit
Nga analizimi i fletoreve dhe llogarive të kryera si dhe nga veprimet e tjera hetimore është bërë e mundur që të përcaktohet se periudha 07/ 03.2016 deri në 24.01 2017 (dita e sekuestrimit të sasisë prej 2 kg) shtetasve Renato Zefi dhe Gjergj Zefi iu është dorëzuar nga Alfred Luliu dhe Gjergj Luli në total prej 12 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, që I korrespondon një vlere monetare prej mbi 200 mijë euro.
Nga veprimet hetimore të kryera është bërë e mundur që të provohet se Alfred Luli dhe Gjergji Luli kanë importuar në mënyrë të paligjshme sasinë e lëndës narkotike prej 28 kilogramë kokainë, 153 kg kanabis sativa dhe 40 kilogramë hashash kundrejt një vlere prej 960 mijë euro, sipas shumave, shifrave dhe llojeve të drogës të marra nga fletoret me shkrim dore të sekuestruara në banesën e Alfred Lulit. Këto fakte kanë ndodhur në provincën e Bergamos, në periudhën korrik 2015-maj 2016.
Një pjesë e sasisë së lëndës narkotike është shitur për llogari të vëllezërve Luli nga shtetasi Lorenc Arapi në provincën e Bergamos, i cili dyshohet se ka shitur rreth 100 kg canabis sativa (të paguara me dy këste prej 80 000 euro më datë 01.10.2015 dhe 23.10.2015), si dhe 12 kilogramë canabis sativa të tjera, të sekuestruara në datën 15/01.2018 shoferit Milan Ristic.
Po kështu, Gjergji Luli në bashkëpunim me Saimir Prenga, kanë importuar në mënyrë të paligjshme sasinë e lëndës narkotike prej 67 kg Kannabis sativa, në tre episode:
1) 40 kilogramë para datës 08.12.2017 me vlerë 70 500 euro
2) 12 kg me datë 16.12.2017
3) 15 kg me datë 01.07.2018
Veprimet hetimore
Nga përgjimet telefonike të kryera për Alfred Lulin dhe vëzhgimet e bëra, është bërë e mundur që të provohet se Alfred Luli në datat 8 dhe 12 mars kishte bërë takime për shitjen e lëndëve narkotike në favor të Saimir Prenga dhe Rexhep Dallupi.
Por çfarë kodesh përdorte grupi i strukturuar i trafikut të drogës ?
Në dosje, simboli “S” tregon lëndën narkotike të llojit marijuanë me origjinë nga Spanja.
Simboli “A” tregon lëndën narkotike të lloji marijuanë nga Shqipëria
Simboli “H” tregon substancën narkotike të llojit kokainë
Fjala “Pako” përdoret për të treguar 1 kilogram,
Fjala “tym” dhe “çokollate” tregon substancën narkotike të llojit hashash
Fjala “lekë” monedhë shqiptare, përdoret për të treguar monedhën në euro.
Fjala “Mushka” përdorej për të treguar e ”Korrierin” i ngarkuar me transportin e drogës dhe e parave.