Një burrë japonez kaloi mbi dy dekada duke jetuar në kushte ekstreme për të arritur lirinë financiare, por një zhvlerësim i fortë i jenit ia shkatërroi ëndrrën. Historia e tij është bërë virale në Azi, duke ndezur debate mbi koston e jetës së kursyer në mënyrë ekstreme.
Në moshën 25-vjeçare, ai nisi punën në një kompani me stabilitet, por me orare rraskapitëse. Me rreth 29 mijë euro në vit, vendosi të kursente çdo qindarkë, duke jetuar në një dhomë kompanie për vetëm 175 euro në muaj, pa ngrohje e ajër të kondicionuar, dhe duke ngrënë darka minimale – shpesh vetëm turshi, oriz dhe perime të kripura.
Për 20 vite e 10 muaj, ai jetoi me idenë: “Do të tërhiqem patjetër nga puna”, duke iu përkushtuar vetëm kursimeve. Në janar 2025, arriti objektivin: 135 milionë jenë, afro 785 mijë euro. Por gëzimi zgjati pak. Në mesin e vitit, jeni pësoi një rënie të ndjeshme, duke i ulur ndjeshëm vlerën e kursimeve. “Pse kam punuar gjithë këto vite? Është e kotë, është tragjike”, shkroi ai.
Sot, në moshën 45-vjeçare, jeton më rehat se më parë, por me pasiguri për të ardhmen. Nuk dëshiron të kthehet në punë, por as nuk mund të rikthehet në stilin e jetesës së dikurshme. Ekspertët e shohin historinë e tij si një paralajmërim për rreziqet e kursimit ekstrem pa diversifikim investimesh. Ai vetë e pranon: “Nuk pendohem për objektivin, por për faktin që nuk shijova rrugën drejt tij.”