Real Madridi mund të bëjë një lëvizje për Ibrahima Konate këtë verë, me Liverpoolin që është i hapur për shitjen e tij nëse dështojnë bisedimet e kontratës.
Sipas një raportimi nga mediumi spanjoll Defensa Central, e ardhmja e qendërmbrojtësit francez në ‘Anfield’ nuk është më e sigurt.
Liverpooli ende nuk ka arritur marrëveshje me të për rinovimin e kontratës dhe me afatin kalimtar që po afrohet, një shitje për 60 milionë euro është e mundshme.
Kontrata aktuale e Konates skadon në vitin 2026, por ka dyshime sa i përket planeve afatgjate.
Konate ka qenë një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së Liverpoolit, i njohur për fuqinë dhe qetësinë e tij.
Megjithatë, drejtuesit e klubit anglez mund të vendosin që ta shesin tani, për të mos rrezikuar që ta humbasin falas në vitin 2026.
Për këtë arsye, Real Madridi po e monitoron nga afër situatën e tij, pasi e shohin atë si një kandidat të fortë për ta përforcuar mbrojtjen e tyre sezonin e ardhshëm.
Kujtojmë se tashmë gjiganti spanjoll tash e sa kohë e ka konfirmuar interesimin e tyre edhe për Trent Alexander-Arnold, i cili me gjasë do të transferohet në ‘Santiago Bernabeu’ në fund të sezonit./Telegrafi/
