Pas Parkut Kombëtar të Butrintit, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) do të marrë në menaxhim edhe Amfiteatrin Romak të Durrësit si dhe një sërë hapësirash të tjera arkeologjike.

Plani për menaxhimin afatgjatë të disa zonave arkeologjike të rëndësishme në qytetin e Durrësit do të hartohet nga arkitekti italian Stefano Boeri dhe SON Architects dhe parashikon interpretimin, prezantimin dhe përmirësimin e amfiteatrit romak, forumit bizantin, banjave romake, si dhe projektimin e një sërë rrugëve urbane në qendrën historike të Durrësit.

Projekti parashikon edhe ngritjen e një park arkeologjik në zemër të qytetit për banorët dhe vizitorët.

“Rrugët urbane do të bëhen një mjet për të bërë sërish të dukshme lidhjet fizike dhe vizuale midis aseteve historike të trashëgimisë urbane të qytetit, të fragmentuara nga zhvillimi modern. Këto rrugë do të përdoren si nga banorët ashtu edhe nga vizitorët dhe turistët. Objektivi kryesor i projektit është lidhja e bregdetit dhe portit të Durrësit me atraksionet kryesore turistike të qytetit, pasi shumë asete kulturore periferike janë ende të shkëputura dhe të vështira për t’u aksesuar për banorët dhe vizitorët, duke penguar kështu zhvillimin e plotë turistik. Një element themelor i këtij projekti do të jetë përcaktimi i statusit ligjor të këtyre rrugëve”, thuhet në planin për menaxhimin e Amfiteatrit të Durrësit, raporton newsbomb.al.

Stefano Boeri dhe SON Architects do të bashkëpunojnë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

Projekti do të financohet dhe menaxhohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe do të zhvillohet në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorinë e Shërbimit Arkeologjik (në varësi të Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore), Qendra Muzeale e Durrësit (që aktualisht menaxhon Parkun Arkeologjik të Durrësit dhe amfiteatrin), Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës, Këshillin e Profesorëve të Institutit të Arkeologjisë, Bashkinë e Durrësit nëpërmjet departamenteve të ndryshme duke përfshirë planifikimin urban dhe financën, dhe Institutin e Arkeologjisë (Ministria e Arsimit), i cili është i vetmi institucion shtetëror me autorizim ligjor për të kryer gërmime shkencore dhe arkeologjike.

Ekipi do të konsultohet me grupet e interesit të sektorit publik kombëtar dhe rajonal, OJQ-të, sektorët akademikë dhe privatë, universitetet përkatëse dhe OJQ-të që operojnë në Durrës, përfshirë Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

“Së fundi, forumi bizantin dhe banjat romake janë gjithashtu pasuri të rëndësishme kulturore për Durrësin, ndonëse fatkeqësisht të mbyllura për publikun, pothuajse të padukshme dhe të nënvlerësuara. Banjat romake njihen si monument kulture; ato shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 700 metrash katrorë dhe përfshijnë disa dhoma, nga të cilat vetëm dy, kaldariumi dhe pishina, janë identifikuar me saktësi, ndërsa tepidariumi dhe frigidariumi mbeten ende nën tokë. Zona arkeologjike e forumit bizantin, e quajtur edhe “Rotonda”, përdorej si hapësirë ​​publike për organizimin e panaireve dhe konferencave dhe mbulon një sipërfaqe prej përafërsisht 2530 metra katrorë. Ai përmban mbetjet e një portiku rrethor me një podium në qendër pjesërisht nën nivelin e rrugës, trotuareve dhe ndërtesave përreth.