Ish-nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli, e cila njihet për përplasjet e forta me Lulzim Bashën pas mosmandatimit të saj si kandidate për deputete në zgjedhjet e 2017-s ka publikuar pamje nga stadiumi ‘Air Albania’ e mbushur me mijëra delegatë dhe mbështetës demokratë duke i çuar dhe një mesazh kreut aktual të PD-së:
“Lulzim kjo eshte PD.
Ti as nuk e njeh, as nuk deshte me e njoh kurre, se ishe i huaj per te.
Keta sot ty te prene bileten.
Keta sot po e rithemelojne Partine tone, qe te mos lejojne me kurre nje Kryetar qe shet Partine per interesa pasurore e personale.”

Që prej 9 shtatorit të këtij viti, kur Basha shpalli përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pas përcaktimit ‘non grata’ nga DASH, ky i fundit nisi turin e ‘Foltoreve’ në të gjithë vendin duke kërkuar largimin e kreut aktual të PD-së dhe ristrukturimin e partisë që themeloi vetë 31 vjet më parë.
Sipas përfaqësuesve të ‘Foltores’ për mbledhjen e këtij Kuvendi kanë nënshkruar mbi 5200 delegatë, ndërsa pritet që të miratohet dhe statuti i ri i Partisë Demokratike.

Kreu aktual i PD-së Lulzim Basha e ka quajtur të paligjshëm dhe anti- SHBA këtë Kuvend duke cilësuar nul dhe vendimet e dalë prej tij. Ai rreth 1 muaj më parë shpalli datën e mbajtjes së një Kuvendi tjetër të PD-së me 18 dhjetor, ndërsa të dy palët pretendojnë se janë mbledhur firmat e mbi 5 mijë delegatëve. Ndërkohë deri më tani zyrtarisht Kuvendi i PD-së ka 7639 delegatë.