Gjatë natës në juglindje kanë vijuar reshjet e borës me intensitet të lartë. Nga informacionet e marrë deri më tani, bëhet me dije se në zonat malore në mbi 1200 metër, trashësia e borës varion nga 50 cm deri në 60 cm.

Më konkretisht, në Dardhë trashësia ka arritur në 50 cm, por nuk ka probleme me qarkullimin pasi është bërë e mundur hapja e segmentit, megjithatë duhen goma dimërore. Në Voskopojë, trashësia ka arritur në 20 cm por edhe në këtë fshat nuk ka probleme në qarkullim.Sa i përket zonave malore si fshati Panarit, mësohet se në pikën e Mashkullorës ka arritur në 60 cm, ndërsa do të ndërhyhet me borëpastruese për të mbajtur qarkullimin e hapur. Në akset nacionale nuk shfaqen problematika në qarkullim, të gjitha akset janë të kalueshme.

Në rrugën e re të Ersekës, është ndaluar qarkullimi dhe për të shkuar drejt këtij qyteti duhet të përdoret rruga e vjetër. Në juglindje prej mbrëmjes së djeshme janë shfaqur probleme edhe në energjinë elektrike.

Sipas informacioneve në Vithkuq janë 6 abonentë pa energji, dhe 2 kabina që kanë shfaqur defekt në Brozdovec të Lekasit. Në zonën e Çervenakës në Gur të Kuq ka 12 abonentë pa energji, në fideri Podgozhan 160 abonentë. Në Pustec ka rreth 570 abonentë pa energji elektrike, që përfshijnë Goricën e Madhe, Goricën e Vogël, Kallamas, Gollomboç. Në Devoll situata mbetet më e vështirë për arsye se pa energji elektrike kanë mbëtur 3210 abonentë në të gjithë bashkinë.

Mësohet se pa energji elektrike janë zona e Dardhës, Mollasit, Gjançit, Lavdarit, ku numri i abonentëve arrin në 270 abonentë. Mësohet se në Panarit ka probleme me 50 abonentë, ndërsa në Lozhan të Maliqit 100 abonentë kanë mbetur pa energji elektrike.

Në total në juglindje janë më tepër se 4000 abonentë pa energji elektrike, ndërsa grupet e punës ndodhen në terren për të riparuar çdo defekt të mundshëm, por duhet të kujtojmë se të paktën zonat e thella malore kanë probleme me amortizimin e rrjetit çka e bën më të vështirë punën e ekipeve dhe kohëzgjatjen e mungesës së energjisë elektrike.