Fjalimi emocional i Jacinda Ardern ditën e djeshme, në të cilin ajo njoftoi se do të jepte dorëheqjen si kryeministre e Zelandës së Re për arsyen sepse nuk kishte më energji po shkakton tronditje në komunitetin ndërkombëtar.
Dorëheqja e saj e papritur ishte kryesisht një goditje për partinë e saj, Laburistët, përpara zgjedhjeve të 14 tetorit.
Për disa ajo ishte një heroinë, pasi shpesh ishte në faqet e para të revistave “Time” dhe “Vogue” (ata e quanin “anti-Trump”), Financial Times (“Saint Jacinda, udhëheqësja e kohëve tona të trazuara” ), ndërsa për gazetën gjermane ” Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ishte e ardhmja e demokracisë liberale
Duke u njoftuar bashkëqytetarëve se nuk i ka mbetur asnjë rezervë, se dëshiron të jetë pranë vajzës së saj katërvjeçare tani që po fillon shkollën dhe të martohet më në fund me të fejuarin e saj, Clark Gaygard, ajo la pa fjalë komunitetin ndërkombëtar me ndërshëmërinë e saj.
Nekrologjia politike e BBC-së
Sipas BBC-së, vendimi i saj për të dhënë dorëheqjen si kryeministre e Zelandës së Re ishte si një funeral me programin Today që transmetoi një nekrologji politike duke lavdëruar “mirësinë dhe dhembshurinë” e saj.
Në rrjetet sociale, një ekip gazetarësh të BBC-së thanë: “Një grua e mahnitshme me integritet dhe dhembshuri, ajo tregoi forcën e vërtetë të një personi të fortë në kohë pikëllimi të thellë.
Ne kemi nevojë për më shumë politikanë si ajo. Çfarë lidereje”.
Megjithatë, në Zelandën e Re, në vendlindjen e saj, kjo superstare progresive nuk ka qenë kurrë aq popullore sa ajo jashtë vendit. Votuesit e Zelandës së Re po përballen me një kosto mbytëse jetese, shkallë të lartë krimi dhe inflacion në rritje, raporton abcnews.al.
Për BBC, dorëheqja e 42-vjeçares nga Zelanda e Re ishte diçka si një tragjedi globale. Për CNN-in, megjithatë, kryeministrja në largim dhe nëna e një vajze katër vjeçare mori vendimin e duhur.
“Ajo qëndroi për gati gjashtë vite në postin e kryeministres, duke pësuar të ashtuquajturën “burnout” dhe bëri mirë që e pranoi publikisht, duke njoftuar se largohet nga detyra.
Në të njëjtën kohë, “The Guardian”, duke cituar figura të njohura politike dhe publike të Zelandës së Re, pretendon se dorëheqja e papritur e Ardernit lidhet me kërcënimet personale që ajo merrte herë pas here dhe që muajt e fundit ishin shumëfishuar.
“Nga frika se mos rrezikonte familjen, të fejuarin dhe vajzën e tyre Nevën, ajo ka marrë vendimin e madh për t’u larguar nga kryeministria, duke sqaruar se nuk do të jetë kandidate në zgjedhjet e 14 tetorit, por do të mbetet deputete e Partisë Laburiste.
Mbrëmë, megjithatë, siç tha ajo, ka fjetur e qetë “për herë të parë pas shumë kohësh”, shkruan The Guardian. Duke folur sot për gazetarët, ajo pohoi se nuk është penduar që la kryeministrinë.
“Sigurisht që ndihem e trishtuar, por edhe e lehtësuar”, tha ajo.
Komentet fyese që merrte herë pas here si dhe sulmet personale ndikuan në ngarkesën e saj psikologjike.
“Është një ditë e trishtuar për politikën pasi një udhëheqëse e shquar është detyruar të japë dorëheqjen pasi është kërcënuar, ” tha udhëheqësja e Partisë Maori, Debbie Ngareva-Packer.
Por ish-kryeministrja e Zelandës së Re Ellen Clarke, gruaja e parë që u zgjodh në postin më të lartë, pretendon se Ardern është përballur me sulme “të pashembullta” gjatë mandatit të saj, raporton abcnews.al.
“Presionet ndaj kryeministrave janë gjithmonë të mëdha, por në epokën e mediave sociale, kërcënimet janë të shumta, me rezultat që Jacinda të përballet me një urrejtje dhe paturpësi që, sipas përvojës sime, është diçka e paprecedentë për vendin tonë.“ theksoi ajo.
Megjithatë, kohët e fundit, popullariteti i saj si dhe i partisë së saj, Partisë së Punës, ka qenë në një prirje rënëse për shkak të zgjedhjeve të shpallura për 14 tetor. Megjithatë, ajo ka bërë të qartë se largimi i saj nuk është “i motivuar politikisht”.
Pas dorëheqjes së saj të papritur, laburistët do të kenë kohë deri të dielën e ardhshme, më 22 janar, për të zgjedhur liderin e tyre të ri.
Planet e saj për të ardhmen
Kur Jacinda u pyet nga gazetarët nëse po konsideronte një rol në OKB pas largimit nga kryeministria, ajo nuk dha asnjë përgjigje. Megjithatë, ajo u zotua se do të vazhdojë të mbështesë partinë e saj, Partinë e Punës, në funksion të zgjedhjeve të 14 tetorit.
/abcnews.al