Sot pritet si kampione e Europës me një ceremoni zyrtare në kryeministri, por rrugëtimi i atletes shqiptare Luiza Gegës drejt triumfit nuk ka qenë aq i lehtë.
Pikërisht për këtë rrugëtim ajo foli gjatë fjalës së saj para të pranishmëve duke treguar pjesëmarrjen e parë në një kompeticion në Paris 12 vite më parë ku ishte zotuar se nuk do të kthehej më kurrë për të përfaqësuar vendin tonë.
Por pasioni e çoi përpara pavarësisht kushteve të vështira me të cilat i duhet që të stërvitej. Gega u shpreh se ka pasur oferta për të vazhduar rrugëtimin e saj edhe me shtete të tjera por i ka refuzuar ato.
“Para shumë vitesh kur kam marrë pjesë në një kampionat europian në Paris. Dola nga fundi dhe me diferencë. Kisha veshur ngjyrat kuq e zi dhe nuk isha ndjerë kurrë kaq keq. Dhe biseda me trajnerin ishte që kurrë nuk vij të përfaqësoj vendin tim. Doja të isha afër me konkurrentet e tjera. Aty isha ndarja se çfarë doja të bëja. Duhet të punoja shumë. Ishte një hap shumë i vështirë.
Dhe trajneri më tha që do të kërkojë shumë mund dhe sakrificë. Duhet të stërvitesha në shi dhe të ftohtë. Pavarësisht halleve familjare. Filluam të bëjmë hapa që më sollën këtu. Rrugëtimi nuk ka qenë kaq i suksesshëm. Kam pasur shumë vështirësi. Sportistët pësojnë edhe dëmtime që të kthejnë mbrapa. Kam pasur edhe oferta për vazhduar me shtete të tjera por e dua këtë vend. Vërtetë e kam besuar që do vijë një ditë që vendi ynë do të ndryshojë. Kemi vërtetë gjëra për të përmirësuar, por kemi ecur shumë përpara. Nuk është kurrë vonë nëse do t’ia dalësh”, tha Luiza Gega.