(Fjala e mbajtur në varrimin e tij më 15 qershor 1914, nga Sabri Qyteza).
Kapedani Kamber Sejdini u lind n’Elbasan me 1875 dhe nisi mësimet e tij në shkollën turke të Manastirit ku ishte kurdoherë i parë. Si mbaroj, këtë shkollë, u dërgua në Akademinë Ushtarake të Stambollit ku doli me gradën “zëvendës”. Punoi për pak kohë, si mësues i shkollës ushtarake të Manastirit, duke u mësuar nxënësvet shqiptarë, jo vetëm mësimet, por edhe si të duan atdheun e vet. Kamber Elbasani ka qenë nga të rrallët shqiptarë që e deshën Shqipërinë që në vogëlin e tyre dhe n’ato kohë. Pas nji farë kohe len mësuesinë dhe u bë Komandant i një Kompanie në ushtri.
Mori pjesë në luftën Greko-Turke të 1897 në synim për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Por posa mori vesh se flamuri shqipëtar u ngrit dhe zu të valojë në Vlonë, la punën e tij dhe nderimet që kishte në Turqi dhe u sul i pari që t’i shërbej të mjerit Komb që rilindi dhe i cili ishte për të, veç atdheu i tij. La Stambollin, pra dhe me t’u hapur rruga, hyri ne Vlonë dhe u fut ne Gjendarmëri me gradën Kapiten. Oficerët Hollandezë, duke çmuar vlerën e tij, e dashuronin dhe e nderonin si oficer.
Është i pari oficer Shqiptar që vdes, në shesh të luftës, për atdheun i vrarë, mjerisht prej vllezërve të tij.
Kurse nji shok i tij shkruan: “Atë ditë që vdiq Thompsoni, na u-vra dhe nje oficer i vlefshëm shqiptar; Kamber Sejdini nga Elbasani, kapiten në xhandarmëri. Kamberi ishte i njohur prej shokëvet dhe miqvet të tij si një njeri me zemër dhe me virtute. Unë që shkruaj këto radhë e kam njohur që kur ishim shokë të ushtrisë në Stamboll, dhe q’ahere e di qysh punonte për idenë kombiare, për të përhapurë ndjenjat dhe mësimin e shqipes dhe të Shqipërisë”.
Foto 2- Nji rrugicë që mban sot emrin e tij.
Foto 3- Dikur në vitet’30, nji nga dy rrugët kryesore të qytetit mbante emrin e tij “Kamo Sejdini”.