125 rrënjë kanabis në repartin e Zall Herrit në Tiranë, Gjykata jep masën e sigurisë për 3 ushtarakët.
Gjykata dha masën e sigurisë arrest me burg për të tre të arrestuarit, të cilët janë: Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.
Të tre akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa mësohet se ushtarakët nuk e kanë pranuar autorësinë e veprës penale. Ata kanë pretenduar se sipërfaqja e repartit ushtarak është 140 hektarë tokë dhe ata e kanë pasur të pamundur për ta kontrolluar plotësisht.
Mësohet se rrënjët e kanabisit janë zbuluar nga avioni i Guardia di Finanza që monitoron territorin shqiptar. Bimët ishin rritur dhe janë pikasur menjëherë nga pajisjet e italianëve që kanë sinjalizuar policinë shqiptare.
Kanabisi ishte mbjellë në një zonë që përdoret për stërvitjen 10 ditore të ushtarëve që bëhen pjesë e forcave komando. Si pjesë e testit është braktisja në një zonë të pyllëzuar, ku ushtarët duhet të mbijetojnë për disa ditë në kushte të vështira, duke u ushqyer me bimësinë e zonës dhe duke siguruar ujin nëpërmjet teknikave të caktuara.
Por duke qenë një zonë e veçuar brenda territorit të repartit, me pak lëvizje, disa prej ushtarakëve kanë menduar të kultivojnë kanabis në terrenin e vështirë. Gjithsesi mbetet e pashpjeguar se si nuk ishin pikasur bimët gjatë stërvitjeve speciale të ushtarakëve elitë. Këto stërvitje përfshijnë operacionet e zbulimit, goditjet me snajper, lëvizjen në terrene të vështira etj.