Koordinatori njëherësh kandidat i Bindjes Demokratike për deputet në Qarkun e Elbasanit, Erion Murataj ngre alarmin për krime zgjedhore në prag të zgjedhjeve të 25 të prillit.
“Është vënë re vendosja në funksion e makinerisë së intimidimit dhe shit-blerjes së votës. Kryesisht nga të tre faktorët e vjetër politikë, të cilët i kanë dhënë këtij qyteti vetëm zhgënjim, mjerim dhe një harresë të cilën qytetarët e Elbasanit nuk kanë si ta harrojnë,” tha Murataj.
Ndaj në kulmin e fushatës, Murataj u kërkon rivalëve politike të heqin dorë nga këto taktika dhe të përballen me të vërtetën ditën e votimit.
“Unë i bëj thirrje drejtuesve politikë të tre forcave të vjetra dhe të rrënuara tashmë të Elbasanit ta ndalojnë këtë fushatë pasi nuk ka forcë që e ndalon ndryshimin,” tha ai.
Murataj u bëri thirrje votuesve të përqafojnë alternativën e re që u ofrohet në këto zgjedhje.
“Nuk ka luftë që nuk fitojnë të rinjtë dhe këtë ta marrin vesh mirë dhe mos ta harrojnë drejtuesit e forcave të vjetra politike,” u shpreh Murataj.
Ora news