Kandidatja e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Andia Ulliri, ka depozituar një ankesë zyrtare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku pretendon mandatin e deputetit Arjan Ndoja, duke argumentuar se nuk është respektuar kuota gjinore në shpërndarjen e mandateve.

Në kërkesën e saj, Ulliri thekson se renditja e kandidatëve fitues, siç pasqyrohet aktualisht në faqen zyrtare të KQZ-së, nuk respekton përfaqësimin gjinor të përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.

“Veprimi juaj për të shpallur të zgjedhur z. Arjan Ndoja, i cili është renditur i pari në listë me vota parapëlqyese, është në kundërshtim me ligjin dhe përbën një shkelje të parimit kushtetues për përfaqësimin gjinor”, shkruan shkruan drejtuar KQZ-së.

Nga ana tjetër ajo referon ndryshimet e fundit ligjore të miratuara nga Kuvendi, ku pretendon përmes një amendamenti të Kodit Zgjedhor, se një në çdo tre kandidatë fitues në listë, pas rirenditjes nga votimi parapëlqyes, t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

“Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listës një në tre emra të saj t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që kanë marrë”, thuhet në ankimim.