Sekretariati i Etikës do të mblidhet sërish ditën e sotme, në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës, të cilët sipas mazhorancës u përfshinë në skenarin e kaosit gjatë seancës plenare të Kuvendit.
Mbledhja e kaluar u shty pasi deputetët e përfshirë kërkuan kohë për t’u njohur me provat e paraqitura. Ndërkohë, PS i ka kërkuar Prokurorisë të verifikojë nëse ka vend për nisjen e një hetimi penal ndaj deputetëve Flamur Noka dhe Klevis Balliu, pas përplasjes fizike me punonjësit e Gardës.
Sipas mazhorancës, aktet e dhunës në Kuvend kanë qenë të mirëorganizuara dhe të drejtuara nga krerët e Partisë Demokratike, përfshirë Sali Berishën, Flamur Nokën dhe Gazment Bardhin.
Në kërkesën e saj, PS propozon përjashtim 60-ditor nga punimet e Kuvendit për Flamur Nokën dhe Klevis Balliun, për shkak të përplasjes fizike me Gardën, si dhe për Sali Berishën dhe Gazment Bardhin, të cilët cilësohen si organizatorë të dhunës.
Po ashtu, kërkohet përjashtimi edhe për deputetët që ndezën tymuese në sallën e Kuvendit: Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Albana Vokshin, Ledina Alollin dhe Denisa Vatën.
Vendimi i Sekretariatit të Etikës pritet të përcaktojë masat disiplinore që do të merren ndaj deputetëve të përfshirë në ngjarjet e fundit në Kuvend.






