Përmbysja e regjimit të Bashar Al Assadit në Siri vë në pikëpyetje të ardhmen e bazave ushtarake të Rusisë në këtë vend, sidomos bazës së marinës në Tartus që konsiderohet me shumë vlerë dhe e pazëvendësueshme.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskoë, deklaroi se është “herët” të flitet për këtë. Mediat ruse pretendojnë nga ana e tyre se islamistët e ardhur në pushtet të drejtuar nga grupi Haiat Tahrir al-Sham (HTS), kanë garantuar sigurinë e bazave ushtarake ruse.
Rusia ka dy baza kyçe në Siri –atë në Tartus në Detin Mesdhe, një trashëgimi e Bashkimit Sovjetik, dhe që nga viti 2015 aeroportin ushtarak në Hmeimim.
Gustav Gressel, ish-ekspert në European Council on Foreign Relations, mendon se pas kuintave Rusia do të negociojë për t’i mbajtur bazat në Siri. “Nëse do të hiqej dorë prej këtyre bazave, në fakt do të duhej të kishte nisur evakuimi”, arsyeton ai për DW.
Historiani ushtarak, kolonel Markus Reisner beson, se baza e marinës në Tartus është për Rusinë “më e rëndësishme në aspektin strategjik”, sepse “që andej forcat mund të projektohen në Mesdhe”. Baza e aviacionit në Hmeimim ka qenë për Moskën e rëndësishme, për të mbrojtur regjimin e Assadit nga rebelët. “Por tani kjo arsye bie”, konstaton Reisner.
Politologu britanik Mark Galeotti, autor i librit “Luftrat e Putinit”, beson, se të dyja bazat janë “shumë të rëndësishme për aktivitetet ruse në Mesdhe dhe në Afrikë”.
“Është interesant, se sa shpejt ajo (Rusia) po përpiqet të arrijë një marrëveshje me HTS”, thotë Galeotti. Së fundi ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e pati cilësuar këtë grup si “terrorist”, javën e kaluar Moska filloi t’i quajë ata “rebelë”.
Po së fundi, toni i Moskës kundrejt islamistëve në Siri duket se po bëhet gjithmonë e “më i sjellshëm”, teksa Rusia po shpreson për një marrëveshje me HTS, ndërsa ekspertët vlerësojnë se rebelët, ndonëse mbështeten nga Turqia, ata “nuk duan të jenë zëvendësues turq, por u nevojiten aleatë dhe marrëdhënie, e këtu hyn në lojë Moska.
Top Channel