Policia e Sarandës ka arrestuar 2 vëllezër të cilët mbanin në banesë, lëndë plasëse të llojit tritol me qëllim shitjen për ta përdorur në ngjarje kriminale.

Në pranga kanë rënë Haredin Ogiçi, 61 vjeç dhe Huso Ogiçi, 56 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 1, të Sarandës. Gjithashtu, një 26 vjeçar është shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkëpunëtor i dy vëllezërve në përgatitjen e lëndës një eksplozive.

Fillimisht policia e Sarandës ka marrë informacion se dy vëllezërit mbanin dhe shisnin tritol. Gjatë kontrollit në banesën e tyre të përbashkët policia ka gjetur dhe sekuestruar 5 kallëpe tritoli 2 prej tyre të programuara për shpërthim në distance me telekomandë, 7 kapsolla detonatorë dhe municion luftarak. Sipas uniformave blu kjo lëndë plasëse dyshohet se do të përdorej për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Policia e Sarandës ka proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe një 58-vjeçar pasi në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak.

Më herët, në Sarandë, gjatë hetimeve për kapjen e lëndëve plasëse, janë sekuestruar 5 armë zjarri, 1 minë me telekomandë, dhe municion luftarak. Hetimet vijojnë për të dokumentuar veprimtaritë kriminale të këtyre shtetasve.