Gjykata angleze ka dënuar me 5 vjet burg një shqiptar i cili kishte ngritur disa ferma kanabisi në Britaninë e Madhe. Shqiptari Jetmir Metushi, përveç se arrinte të gjente godina bosh në të cilat ndërtonte ‘shtëpitë e barit’ ai u ka mësuar edhe të tjerëve se si t’i drejtojnë dhe menaxhojnë ato.
Në telefonat e sekuestruar nga policia, bëhet e ditur se Metushi gjente vendet e përshtatshme për fermat e kanabisit dhe materialeve të nevojshme për rritjen e bimëve të kanabisit dhe vendoste njerëz për t’i drejtuar ato duke iu mësuar edhe aspektin teknik. Përveç Metushit, Gjykata e Leedsit ka lënë në burg edhe Aleks Gjinin, i cili punonte si roje dhe kultivues i kanabisit.
Në një nga fermat e ngritura nga Metushi u gjetën 402 bimë kanabisi gati për korrje, me një vlerë të përllogaritur afro 200 mijë paund nëse do të hidheshin në treg. 32 vjeçari Gjini ra në prangat e policisë teksa u përpoq t’i shpëtonte efektivëve në afërsi të fermës së kanabisit. Nga ana tjetër, ADN-ja e gjetur në një kanaçe birre dhe në cigare u verifikua se i përkiste Jetmir Metushit.
Metushi i cili drejtonte fermat e kanabisit, kishte shkuar në Britaninë e Madhe pasi i ishte premtuar se do të fitonte para për të shlyer edhe borxhin që kishte marrë prej 20 mijë paundësh. Ai humbi punën gjatë pandemisë duke punuar si kultivues i një prej fermave të kanabisit për t’i zgjeruar ato vetë më tej, shkruajnë mediat britanike.
Ndërkaq, Gjini kishte mbërritur ilegalisht në Britaninë e Madhe dhe ishte rekrutuar nga Metushi vetëm pak muaj para se të arrestohej. Metushi u dënua me 5 vjet burg dhe Gjini me 2.5, ndërsa gjykata urdhëroi asgjësimin e drogës dhe pajisjeve të tjera, si dhe konfiskimin e parave.