Autori i vrasjes së Ramazan Matajt në Shkodër është arrestuar pas dy ditëve arrati.

Sipas burimeve të gazetarit të Top Channel, Eraldo Harlicaj, ai është dërguar në komisariatin e Shkodrës pas zbardhjes së çështjes.

33-vjeçari Ramazan Mataj u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij tip “Benz” dhe më pas u gjet nga kalimtarët e rastit, banorë të fshatit Dragoç të dielën.

Autorët dyshohet se e kanë ruajtur Matajn gjatë natës dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshatit e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.

Ishin banorët që panë 33-vjeçarin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes.

Sipas informacioneve, ai ka qëndruar në Belgjikë, aty ku aktualisht ndodhet edhe vëllai dhe prej një viti ishte kthyer në Shqipëri.

Mataj ka bërë punë ditore në ndërtim në Mal të Zi dhe nuk rezulton të ketë precedent penalë.

Top Channel