Një ngarkesë e konsiderueshme me mallra të pacertifikuara përfshirë veshje të markave më të njohura botërore është bllokuar në portin e barit në një kamion të nisur nga Shqipëria. Autoritetet italiane thanë se bashkë me rrobat me etiketa të falsifikuara janë sekuestruar edhe lodra për fëmijë të cilat ishin të pa certifikuara dhe pa asnjë standard sigurie.
Policia italiane ka sekuestruar në portin e barit sasi të konsiderueshme mallrash të falsifikuara të markave të njohura të modës botërore si Versace, Guçi, apo Dolce & Gabbana, si dhe lodra për fëmijë e artikuj elektrik të pacertifikuar për sigurinë e konsumatorit, të cilat ishin nisur nga Shqipëria.
Ngarkesa është gjetur në një kamion frigo, teksa autoritetet italiane thonë se malli i importuar nga Shqipëria nuk kishte asnjë certifikatë sigurie.
Në tragetet e linjës me Barin, por pa specifikuar prejardhjen e tyre, autoritetet italiane informojnë se janë sekuestruar dhe rreth 5500 lodra për fëmijë, e rreth 5 mijë materiale elektrike, të gjitha me etiketa të falsifikuara të prodhimit standard CE, (Komuniteti Evropian).
Dogana italiane informon se 6 persona janë denoncuar tek autoritetet gjyqësore të cilat kanë nisur një proces hetimor për identifikimin e zinxhirit të prodhimit, shpërndarjes e importit të mallrave false.
Akuza ndaj tyre është tregtim mallrash kontrabandë, falsifikim dokumentesh importi e vjedhje të markave origjinale të prodhimit e të drejtës së autorësisë.
Në muajin shkurt në portin e Barit u sekuestruan rreth 225 mijë sterlina të padeklaruara që përmes këtij porti po mbërrin nga Anglia me destinacion Shqipërinë.
Ndërsa në janar në një tjetër operacion në bashkëpunim me Policinë financiare, e ekzekutuar në portin e Brindisit u sekuestruan 6 ora dore mjaft të shtrenjta të markës Rolex, si dhe 1350 veshje me marka fake,
Autoritetet doganore të Barit informojnë gjithashtu se në një tjetër traget të ardhur nga Greqia janë sekuestruar 22 mijë palë këpucë, imitime të markave të njohura.