Edhe pse në vendin tonë nuk ekziston mbiemri Drimadha, autoritetet hetimore të Brazilit kanë publikuar emrin e një personi mjaft të rëndësishëm të botës së krimit me emrin Altin Drimadha.

Ata e kanë mësuar emrin e tij nga dy brazilianë, rojë të shqiptarit, të cilët u arrestuan në një zonë rezidenciale që i përkiste “kapos”, të cilin dy brazilianët e ruanin me armë. Policia ndërhyri, por nuk mundi dot ta sillte në pranga bosin e të paktën 1 ton kokaine që kishte destinacion Portugalinë dhe Belgjikën.

Të paketuara me mbështjellëse të “Louis Vuitton”, 650 kg ishin hedhur në oqeanin Atlantik dhe destinacion final kishin portin e Lisbonës. Ngarkesa ishte në një jaht me flamur maltez, brenda të cilit ishin edhe 6 studentë, doktorantë filozofie nga Australia. Detajet e një superoperacioni të zhvilluar njëherësh në oqean dhe në Sao Paolo të Brazilit hedhin dritë mbi një mekanizëm gjithëpërfshirës të vënë në dispozicion të karteleve të drogës, e kjo thuajse e gatshme për të sfiduar çdo Polici të botës.

Përveç drogës, policitë e dy shteteve, Portugali dhe Brazil, sekuestruan edhe armë, para cash, një USB me të gjitha të dhënat e rrugëve, sasive, pritësve dhe detajeve të tjera që grupi hetimor tashmë i ka në dorë që me 8 qershor, kur ndërhyri në rezidencën e shqiptarit me emrin Altin. Po ashtu janë sekuestruar edhe 4 telefona, të cilët janë të pajisur me kodin e veçantë që përdorin grupet kriminale për komunikim.

Prej kohësh, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e agjentëve të DEA-s, Policia Federale e Brazilit po zhvillonte një sërë hetimesh për Altin Drimadhajn nga Shqipëria, një trafikant ndërkombëtar droge, i cili tashmë është në kërkim. Gjurmimi i Departamentit të Inteligjencës identifikoi një nga ambientet e Altin Drimadhajt në Sao Paulo, Brazil, që ruhej nga bandat lokale.

Më 7 qershor u konstatua vendndodhja e objektivit dhe u lëshua urdhri i kontrollit nga prokuroria. 25 agjentë të Policisë Federale ndërhynë në objekt, çarmatosën dy rojet dhe gjetën 230,000 dollarë amerikanë, si dhe 350 kg kokainë të pastër, të paketuar në pako të personalizuara “Louis Vuitton” për t’u dërguar në Antverp, Belgjikë.

Policia sekuestroi gjithashtu dy telefona celularë të koduar, dy armë AK 47 dhe një USB që përmbante një videoregjistrim të procesit të ngarkimit të ngarkesës së kokainës në portin e Sao Paulos në Brazil. Pavarësisht se sasia e saktë e substancës ishte ende për t’u përcaktuar, pamjet kishin një vulë, datë dhe orë dhe ekspozonin qartë kodin në ndarjen e saktë të varkës ku droga ishte fshehur.

Raportet e hetimit të javës së kaluar dhe analiza e saktë e përmbajtjes së përmendur në flash drive, çuan në identifikimin e jahtit që udhëtonte në oqean. Sipas autoriteteve braziliane, anija me flamur maltez ishte nisur për herë të parë muaj më parë nga porti i Monakos.

7 anëtarë të ekuipazhit kishin mirëpritur në bord një ekip prej 6 studentësh të doktoraturës filozofike nga Universiteti i “Sunshine Coast”, nga Queensland, Australi, ku ndalesën e fundit e kishin në Nice, përpara se të niseshin në drejtim të Brazilit në një udhëtim ekspedite. Ky itinerar ishte deklaruar nga ekuipazhi i jahtit me flamur maltez, por hetuesit kur hapën USB-në, mësuan se në fakt ky mjet lundrues do të ndalohej pak edhe në Lisbonë, pasi aty duhej të linte një porosi, e jo pak, por 650 kg kokainë.

Brazilianët lajmërojnë menjëherë homologët portugezë dhe kërkojnë ndërhyrjen për ta ndaluar mjetin me studentë filozofie brenda. Më 8 qershor, sapo ky i fundit hyri në ujërat ndërkombëtare portugeze të Oqeanit Atlantik, Njësia e Kontrollit Bregdetar të Gardës Kombëtare Republikane mbërriti me mjetet ujore ushtarake, bllokoi mjetin dhe prangosi 13 personat që u gjenden brenda.

Policia bëri kontroll në mjet dhe nga një ndarje e fshehtë në dysheme nxori sasinë e 650 kg të kokainës së pastër edhe ajo me të njëjtin paketim luksoz. Midis gjetjeve, për prova u sekuestruan edhe 4 armë “AK 47”, 2 telefona celularë të koduar dhe 60,000 dollarë australianë.

Hetimet konfirmojnë përfshirjen e një shtetasi shqiptar, përveç koordinatorit brazilian të aktivitetit. Ai quhet Altin Drimadha. Ai besohet se koordinon gjerësisht operacionet nga një rang i lartë dhe lidhet me një të kaluar kriminale veçanërisht domethënëse në Australi.

I përfshirë në vepra jashtëzakonisht të dhunshme, të lidhura me krimin e organizuar, të kryera nga bandat e “motoçikletave” të Adelajdës, ky gangster shqiptar ofron pista premtuese për hetimin, shkruajnë mediat vendase.

Në fakt, “modus operandi”, tatuazhi i veçantë i të dyshuarve dhe veçanërisht destinacioni i ngarkesave, duket se vërtetojnë pretendimin e prokurorëve kundër “Klubit të Motorëve Comanchero”, një bandë kriminale motoçikletash në Australi.

Duke pasur parasysh provat, të dhënat e arrestimeve, pamjet dhe informacionin e mbledhur, Interpoli ka ndërhyrë për të hetuar një rrjet më të gjerë të organizatave kriminale që veprojnë ndërkombëtarisht për të mbuluar zonat që kanë lidhje me njëra-tjetrën, si: Adelaide dhe Brisbane – Australi, Amsterdam – Holandë, Antverp – Belgjikë, Monte Karlo – Monako. Gangsteri shqiptar, mesa duket, ka ikur nga Brazili dhe mund të jetë aktualisht në kufijtë e Bolivisë./panorama.al