Prej gati dy javësh çmimi i naftës caktohet bazuar në një akt normativ të miratuar në datën 5 mars “Për disa shtesa në ligjin NR.8450, DATË 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre të ndryshuar”.

Qeveria ndërhyri për të fiksuar çmimet e karburanteve pas rritjes së ndjeshme të tyre në fillim të muajit mars, që arritën deri në 260 lekë për litër, nga 192 lekë, që ishte në fund të shkurtit, me një shtrenjtim prej rreth 35%.

Sipas formulës që përcaktohet në aktin normativ:

Bordi cakton çdo javë ose kur e vlerëson të nevojshme, në diskrecion të tij, çmimin tavan për shitjen për gazoilin, benzinën dhe gazin e lëngshëm të naftës, sipas metodologjisë së mëposhtme:

a) Çmimi i shpallur nga bursa në Platts i një dite më parë nga mbledhja e Bordit, në kushtet CIF Med, për gazoilin, e standardit SSH EN 590 2018, benzinën e standardit SSH EN 228 2018 dhe gazin e lëngshëm të naftës përkatësisht propan, butan dhe përzierjen e tyre;

b) Çmimit të përcaktuar në shkronjën “a”, të këtij neni, i shtohet një vlerë premio prej 20 USD/ton;

c) Për shoqëritë e tregtimit me shumicë lejohet një shtesë jo më shumë se 1 % mbi çmimin e përllogaritur, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të këtij neni, në të cilin aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas legjislacionit në fuqi;

ç) Për shoqëritë e tregtimit me pakicë lejohet një shtesë jo më shumë se 5% mbi çmimin e përllogaritur, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të këtij neni, në të cilin aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas legjislacionit në fuqi.

Në datën 14 mars, çmimi i fiksuar në tregun e pakicës ishte 211 lekë. Bazuar në formulën e aktit, çmimi që del nga blerja e naftës në bursa shtuar premion për ton dhe taksat e tarifat fikse (a+b+ taksa e tarifa) pa përfshirë shtesën për tregtuesit me shumicë e pakicë është 205 lekë për litër (shiko tabelën në fund).

Shtesa për shitjen e shumicës (marzh fitimi jo më shumë se +1% e vlerës së blerjes) është 1 lekë, dhe ai është llogaritur mbi çmimin e blerjes pa taksa (102 lekë/litër), jo mbi çmimin final.

Ndërsa për pakicën shtesa (marzh fitimi jo më shumë se +5% të vlerës CIF-Premo+1% të shitjes me shumicë) është 5.1 lekë/litër, sërish e llogaritur mbi çmimin e blerjes prej 102 lekë/litër.

Por, operatorët e tregut pohojnë se shtesa për tregun e pakicës, prej 5.1 lekë për litër është më pak se 30% (27.2%) e kostove fikse për litër, që në total janë 18.7 lekë për litër.

Këto kosto fikse përfshijnë taksat vendore lejet mjedisore, kalibrimin, kontrollin e kasave, energjinë elektrike, pagat e punonjësve, sigurimet, tatim fitimi TVSH. Shpenzimet janë të detajuara në tabelën në fund, ku në total kosto mujore fikse për një pikë karburanti është mesatarisht 843 mijë lekë në muaj. Një pikë shet mesatarisht 1500 litra në ditë, apo 45 mijë litra në muaj, si rrjedhojë, kosto fikse për litër është 18.7 lekë.

Ndërsa për fitime as që bëhet fjalë, subjekteve në tregun e pakicës do t’u duhet të paguajnë nga xhepi mbi 70% të kostove fikse (5.1/18.7), ose rreth 13.6 lekë për litër.

Operatorët paralajmërojnë se sidomos për pikat e vogla, që nuk janë pjesë e zinxhirëve të mëdhenj, fiksimi i çmimeve pa marrë parasysh kostot fikse do të çojë në falimentime dhe shkurtime nga puna të punonjësve. Aktualisht, nga rreth 1500 pika që ka në vend, rreth 73% e tyre janë biznese të vogla. Ndërkohë që shumë pika do të shkurajohen të furnizohen me naftë dhe kjo mund të krijojë probleme në furnizimin me karburant, paralajmërojnë tregtuesit.

Në bursat ndërkombëtare, në datën 17 mars, nafta tregtohet me rreth 107 dollarë për fuçi, në rritje nga 100 dollarë që ishte dy ditë më parë.