Arjan Gosa- Dy vëllezër të vrarë brenda dy muajsh në Kavajë. Mbasditen e sotme, në një lokal në hyrje të qytetit u ekzekutua me një plumb në kokë 48-vjeçari Arjan Gosa.
Ngjarja e rëndë ndodhi në prani të babait të tij, i cili duket dhe në pamjet e mëposhtme teksa afrohet tek i biri, pasi autori i paidentifikuar ka kryer krimin.
Për sa i përket viktimës ai është pa precedent të mëparshëm penal, ndërsa dyshohet se hakmarrja është pista kryesore ku janë përqendruar hetimet.
Policia është në kërkim të tij, sakaq mësohet se është larguar në këmbë dhe ka humbur gjurmët.
Njoftimi i Policisë: Kavajë/Informacion paraprak
Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje.