Fax News ka siguruar vendimin e gjykatës së Fierit të dhënë në vitin 2006 në ngarkim të shtetasit Klodian Çalamani, i cili gjatë ditës së djeshme i mori jetën një 8-vjeçari.
Në vendimin e gjykatës janë rrëzuar disa prej akuzave të ngritura nga prokuroria si rrahja apo tentativa për ngacmim seksual, duke e dënuar Çalamanin dhe bashkëpunëtorin e tij, shtetasin F.V, i cili rezulton të jetë xhaxhai i Mateos 8-vjeçar, vetëm për akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë.
Kjo vepër penale e cila parashikon një dënim deri në 7 vite burg, është vlerësuar që për dy shtetasit në fjalë të zbresë në 4 vite, pavarësisht se Çalamani ka pasur dhe precedentë të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Në dosje shpjegohet e gjithë dinamika e ngjarjes, ku Çalamani së bashku me një shokun e tij, mbyllin për minuta të tëra në dhomë një 16-vjeçare, për shkak se kjo e fundit pëlqehej nga njëri prej tyre. Ata e kanë futur në kurth të renë, përmes motrës së Çalamanit, duke e mbyllur në një dhomë me çelës, ku edhe e kanë qëlluar me grushta dhe me shqelma.
Është dashur ndërhyrja e vëllait të bashkëpunëtorit të Çalamanit, që vajza të lirohej nga dy keqbërësit, dhe të mund të shkonte në banesë, gjysmë e zhveshur. Nga dinamika e përshkruar në dosjem thuhet se e mitura ka mundur që të shpëtojë, pasi i ka lënë në duar bluzet Çalamanit, dhe ka mundur të vrapojë drejt banesës së saj.
Pikënisje për këtë agravim të situatës, është bërë konflikti që i dashuri i 16-vjeçares ka pasur me Çalamanin dhe shokun e tij, ku këtij të fundit ka tentuar që ti gjuajë me shpullë, pikërisht për shkak se ngacmonte vazhdimisht të renë, edhe përmes telefonatave.
Bashkëpunëtori F.V është gjykuar në mungesë, ndërkohë që Çalamani është arrestuar menjëherë pas rrëmbimit të së resë, të cilën ka tentuar që ta qëllojë dhe me një shishe birre në kokë. Fatmirësisht ajo është shmangur, dhe në ato momente Çalamani ka dashur që ti lëjë shenjë në gjoks duke e gërvishtur.
Pjesë nga dosja, çfarë ka dëshmuar vajza:
I dashuri i saj është grindur me shtetasit Klodian Çalamai dhe F.V për shkak se i kishte parë që i vinin rrotull kur ajo ishte në shkollë. Pasdite ajo ishte takuar me motrën e Çalamanit, e cila i kishte kërkuar që të shkonin së bashku në dyqan, por e reja ka thënë se nuk ishte veshur në mënyrë të përshtatshme.
E motra e Çalamanit i ka thënë asaj që të shkonte në shtëpinë e saj, që të vishte diçka, në momentin kur ajo është përballur dhe me dy rrëmbyesit e saj. Vajza ka tentuar që të largohet nga banesa, por ata e kanë mbajtur, duke e goditur me grushte dhe shqelma, dhe duke përdorur fjalë fyese ndaj saj. “Kë na ke vënë ti për të na rrahur”, dëshmon vajza që i kanë kërkuar llogari dy djemtë. Ajo tregon se nuk mund të bërtiste për shkak se Klodiani i kisgte zënë gojën dhe nuk mund të bërtiste, dhe ka shpëtuar nga aty vetëm përmes ndërhyrjes së vëllait të shtetasit F.V.
Vajza tregon se ka mundur që të shpëtojë nga duart e Çalamanit, duke ia lënë bluzat në dorë dhe duke u larguar me vrap për në shtëpi. Ajo i ka treguar të ëmës, dhe më pas është bërë dhe denoncimi në polici. Shtetasi F.V i ka kërkuar disa herë numrin e telefonit 16-vjeçares por ajo nuk ia kishte dhënë. Megjithatë ai ia kishte gjetur numrin dhe kishte tentuar komunikimin me të në disa raste.
(E.K/Faxweb.al)