Roy Keane e ka duartrokitur vendimin e Manchester Unitedit për ta kthyer Cristiano Ronaldon në klub, por beson se skuadra e Ole Gunnar Solskjaerit nuk do të mundë ta fitojë titullin në Premierligë as këtë sezon.
Unitedi arriti marrëveshje për Cristiano Ronaldon javën e kaluar, duke e mposhtur rivalin Manchester City në garë për të, raporton Gazeta Express.
Djajtë e kuq u pajtuan t’i paguajnë 15 milionë euro, plus 8 milionë euro të tjera bonuse për sulmuesin portugez, i cili i kishte kaluar gjashtë sezone në Old Trafford nën urdhrat e Sir Alex Fergusonit.
Por Keane, i cili ishte kapiten i Unitedit kur Ronaldo luajti për herë të parë ën Old Trafford, beson se Solskjaer ende ka probleme me mesfushën dhe portierin, të cilat nuk do ta lejojnë të garojë për titull në ligë
I pyetur nëse ishte emocionuar nga lajmi për rikthimin e Ronaldos, Keane tha: “Po, është e jashtëzakonshme”.
“Mendoj se është lajm i madh për Unitedin, për tifozët dhe për Premierligën”, shtoi ai.
“Unë dyshoj se ai do ta bëjë dallimin për të fituar tituj të mëdhenj. Por është e mundur për ta fituar FA Cup apo kupën e ligës. Ai do të sjellë mentalitet fitues në zhveshtoren e Unitedit. Ai është fitues”.
Ai nënvizoi: “Por Unitedi ende ka probleme me apo pa Ronaldon dhe ato probleme janë mesfusha dhe portieri.”/Gazeta Express/