PROGRAMI PËR RININË, PREZANTIMI I KRYETARIT TË FRPD, BELIND KËLLIÇI

Ky plan është pikërisht ai që na duhet të realizojmë, pas 8 viteve dështime të Edi Ramës dhe jam i lumtur që sot kemi përpara nesh një lider politik, i cili sjell një plan serioz për ne dhe që për herë të parë i’a ka lënë në dorë vetë të rinjve hartimin e këtij plani.
Në këto 8 vite, të rinjtë tanë u larguan nga vendi për shkak se kishin humbur shpresën.
Ne i dëgjuam të dhënat alarmuese sot:
80% e të rinjve në Shqipëri janë të papunë!
Gjysma e të rinjve duan të largohen nga vendi.
Ne po humbasim një brez të tërë, prandaj kemi nevojë për ndryshim – dhe kemi nevojë për ndryshim tani! Që të sjellim sukses në Shqipëri, për të ruajtur brezin tonë të ardhshëm, ne duhet të largojmë Edi Ramën, sepse:
Nuk ka Shqipëri pa rini! E ardhmja na përket ne! Kjo është Dekada e Rinisë.

Sot ne kemi në duar një program me të cilin Shqipëria fiton!
Fiton së pari rininë, ndalon shpopullimin e vendit, frenon boshatisjen e rrugëve, lagjeve dhe shkollave tona nga të rinjtë. E pikërisht për ta ndryshuar këtë realitet, ne do ta shpërblejmë financiarisht mundin dhe punën e ekselentëve, me praktika të paguara për 10 mijë studentë!
300 mijë lekë të vjetra në muaj për secilin prej tyre, për 12 muaj rresht!

Brenda mandatit të parë do të ndërtojmë 4 inkubatorë biznesi për t’i lejuar sipërmarrësve të rinj të investojnë dije dhe para në vendlindjen e tyre. E ardhmja do të ndërtohet në Shqipëri.
E ardhmja do të projektohet këtu. Duke subvecionuar të gjitha sipërmarrjet rinore në zonat e varfra. 5 milionë euro grante do të jepen për sektorët e Mekanikës, High Tech-ut dhe Elektronikës!

Pronat e sekuestruara nga AntiMafia, do t’i kalojnë sipërmarrjeve të karakterit social, atyre të inovacionit dhe mjedisit. Të rinjtë do të jenë përfituesit nr.1 të këtyre pronave dhe aseteve. Qeveria Basha do të fuqizojë financiarisht sipërmarrjet rinore. Vetëm kështu të rinjtë do të gjejnë para të zhvillojnë idetë e tyre novatore në vendin e tyre.
Të rinjtë janë grupi më i madh i interesit në Shqipëri.
Ata duan një dorë, duan një mbështetje. Ne do t’i ndihmojmë me të dyja duart.
Qeveria Basha do të jetë dera e parë ku nesër të rinjtë do të trokasin.
Më 25 prill kemi mundësinë e madhe të kemi një qeveri që na përfaqëson, që punon për interesin publik dhe për të rinjtë.
Për herë të parë në zhvillimet politike të këtij 30-vjeçari, kandidati për kryeministër, është një qytetar i arsimuar jashtë, me formim perëndimor, me arritje të prekshme në karrierën e tij politike, ndaj:

Ju bëj thirrje juve, të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë – të bëni ndryshimin dhe të votoni për Partinë Demokratike, të votoni për Lulzim Bashën.
Vetëm në këtë mënyrë rinia do të fitojë. Shqipëria do të fitojë.
Faleminderit shumë.

Partia Demokratike, faqja zyrtare Elbasan