Në një intervistë për FaxNews, ish drejtuesi i Policisë së Durrësit Arben Hajdarmataj, foli mbi gjendjen e kriminalitetit ne vend dhe ekzekutimet mafioze të ditëve të fundit. Hajdarmataj u shpreh se ndjen keqardhje për situatën, pasi nuk po e kupton çfarë po ndodh.
Sipas tij policia nuk po arrin dot më të ketë nën kontroll situatën.
Ekzekutimet përmes atentateve mafioze ish-drejtuesi i lartë i policisë i cilëson dhe si skenarë të denjë dhe për shumë regjisorë të “Hollywood-it”, duke iu referuar këtu vrasjes së Shkëlzen Velaj nga dy autorë të cilët e ndoqën deri në katin e 5-të të apartamentit ku banonte.
Teksa analizon disa nga vrasjet dhe plagosjet e ditëve të fundit Hajdarmataj bën me dije se qytetet më problematike për sa i përket krimit të organizuar janë Vlora, Elbasani, Tirana, Durrësi dhe Shkodra.
”Tani të themi të drejtëm ndjej keqardhje për situatën. Them realisht më vjen keqardhje pasi nuk e kuptojmë çfarë po ndodh.
Kanë ndodhur dy vrasje për një ditë, ku njëra prej tyre për motive banale dhe tjetra sipas mendimit tim një vrasje prototipe mafioze.
Unë shpesh e them në sensin e shakasë, po nuk merret si shaka, që këto lloj skenash janë të denja dhe për regjizorët e “Hollywood-it”.
Mund t ëjetë rasti i vetëm që një person vritet dhe ndiqet deri në katin e pestë të një apartamenti. Ne kemi parë vrasje nga më monstruozet në Shqipëri, por këtë lloj skene është hera e parë që e shohim si publik. Policia e Shtetit nuk po arrin që ta kontrollojë situatën. Në Vlorë kemi dhe rastin e plagosjes, ku pavarësisht se e shpëtoi çanta për autorin ishte një ekzekutim.
Ishte një atentat prototip mafioz, autori pret shënjestrën e tij, dhe e qëllon në sy të fëmijës. Pavarësisht sa sadist të jetë ai person, prapsëprapë është një akt makabër të kryhet në sy të fëmijës. Në fund të fundit kreu aktin dhe nuk kemi asnjë të ndaluar. Shpeshherë diskutojmë dhe me kolegët se çfarë po ndodh në Shqipëri.
Në Shqipëri ka disa qytete që janë vatra e krimit të organizuar, unë këtu fus Vlorën, Elbasanin, Tiranën, Durrësin dhe Shkodrën”, tha Hajdarmataj.