Postimi i plotë i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit:
𝐓𝐡𝐢𝐫𝐫𝐣𝐞𝐭 𝐯𝐢j𝐧ë 𝐧𝐠𝐚 𝐠𝐨𝐝𝐢𝐧𝐚 𝟕 𝐞 𝐐𝐲𝐭𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐒𝐭𝐮𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢: 𝐕𝐢𝐯𝐚 𝐏𝐚𝐫𝐚𝐬𝐡𝐪𝐞𝐯𝐢, 𝐕𝐢𝐯𝐚!
Edhe në errësirën më të madhe, rinia gjen mënyrën për të shprehur lirinë e munguar, edhe pse në format më naive të reagimit ndaj shtypjes, kontrollit dhe ndëshkimit.
Tiranë, ora 21:34, data 21.03.1989. Në Qytetin e Studentëve, pas mbarimit të emisionit televiziv “Muzikë për të gjithë”, në godinën nr. 7, tri studente të Institutit të Lartë të Arteve nisën të këndojnë me zë të ulët këngë dashurie. Atyre iu bashkuan djem dhe vajza të godinave të tjera, me britma dhe parrulla si “Rroftë Instituti” dhe “Artet janë bota”. Pas pak, nga godina 5 dëgjohen thirrje të tjera: “Viva Parashqevi, viva!”, “Poshtë fashizmit”, si dhe këngët “Eja, mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne” etj.
Po ju sjellim një episod në dukje naiv për ditët e sotme, por në vitin 1989 ky ishte një akt i vërtetë “rrugaçërie” nga rinia, po t’i referohemi izolimit dhe kontrollit të çdo qelize arsimore dhe kulturore me dorë të hekurt nga strukturat e pushtetit.
Dokumenti i krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, pjesë e fondit arkivor të AiDSSH-së, tregon një episod të veçantë nga vitet e fundit të regjimit komunist, kur zëri dhe shpirti rinor po tentonin të sfidonin izolimin dhe ndrydhjen, në raport edhe me ndryshimet politike në të gjithë Europën Lindore.
A ishte zgjedhja e emrit të saj një nevojë për çlirim?
Ngjarja e ndodhur në Qytetin e Studentëve në mars të vitit 1989 reflekton një moment spontan, kur arti dhe emocionet personale kapërcyen muret e frikës dhe censurës.
Me deklarata si “Artet janë bota” dhe thirrje si “Viva Parashqevi, viva!”, edhe pse krejt simbolike, ato treguan se, në një kohë kur gjithçka dukej e zymtë, një zë dhe një fytyrë e bukur, e lirë si zog, e shpenguar dhe në qendër të vëmendjes, ishin një nevojë për shpëtim.
Në vorbullën e diskutimeve të sotme, ku nostalgjia ndaj një figure artistike të atyre viteve të zymta përzjehet me ndjeshmërinë njerëzore për humanitet, kuptojmë se koha ikën për të gjithë ne dhe se izolimi dhe mbytja e ndjesive për një kohë të gjatë mund të deformojë kujtesën e një kombi, që ushqehej me tekste optimiste dhe heroike në një kohë gati tragjike për individualitetin njerëzor.
Shoqëritë shpesh kanë nevojë për simbole që mishërojnë aspiratat e tyre për liri dhe drejtësi. Në mungesë të një kujtese të saktë, ato shpesh “gjejnë” ose krijojnë figura që pasqyrojnë këto vlera, nisur nga perceptimi.
Siç na thotë edhe Ernesto Sabato, shkrimtari argjentinas: “Nuk janë idetë ato që e kanë shpëtuar botën; nuk është as intelekti as arsyeja, por krejt e kundërta e tyre: shpresat e pakuptimta të njerëzve, tërbimi i tyre ngulmues për të mbijetuar, dëshirat e ankthshme për të marrë frymë me domosdo, herpizmi tyre i vogël, grotesk dhe i përditshëm përballë fatkeqësisë.”
Referenca arkivore: Fondi arkivor i AiDSSH-së, Dosja nr. 256 e vitit 1989, deklasifikuar me vendim nr. 12, datë 7.5.2020.
Dokumentet tona nuk janë vetëm burim, por edhe reflektim. Për më shumë informacion ose për të njohur dokumentet, ju ftojmë të konsultoni dosjet e deklasifikuara nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.