Profesori italian, Stefano Andeo, i cili kërcënoi me jetë vajzën e kryeministres Giorgia Meloni u përpoq të vetëvritej.Sipas medias vendase, ai piu një sasi të madhe alkooli së bashku me medikamente, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësuesi 65-vjeçar i gjuhës gjermane që punonte në një shkollë të mesme në provincën e Napolit, u dërgua me urgjencë në spitalin e Nolas.Ai u dërgua në urgjencë në gjendje kritike dhe me një kod të kuq. Për momentin, megjithëse mbetet nën vëzhgim të rreptë mjekësor, jeta e tij nuk është në rrezik. Karabinierët ndërhynë për të mbledhur elementë të dobishëm për rindërtimin e asaj që ndodhi.

Para aktit ai kishte shkruar një letër ku kërkonte të takohej me kryeministren, për t’i kërkuar falje personalisht.

“I kërkoj asaj, nëse është e mundur, të më takojë që ta them duke e parë në sy”.

Addeo ia shkroi letrën vetë kryeministres, i cili u publikua paraprakisht nga gazeta “Roma”.

“Nuk ka asnjë justifikim të mundshëm për fjalët e shkruara. Marr përgjegjësi të plotë”, shkruan Addeo, “edhe nëse pranoj se kurrë nuk kam pasur ndërmend t’i uroj vdekjen një vajze të vogël. Ishte një frazë e pafat, e papërshtatshme, e papranueshme, e cila nuk më përfaqëson mua si burrë apo si edukues”, shton ai, duke thënë se është i vetëdijshëm “se asgjë nuk mund ta fshijë dëmin e shkaktuar me ato fjalë. Vetëm e vërteta, pendimi dhe respekti mund të ndihmojnë, tani”.

Mësuesi i drejtohet drejtpërdrejt kryeministres duke kërkuar falje për gjestin “që ju lëndoi ju dhe familjen tuaj, dhe në veçanti vajzën tuaj, e cila nuk duhej të ishte futur kurrë në këtë situatë në asnjë mënyrë”.