Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur kërkesës së Presidentit turk Erdogan gjatë vizitës që ishte në Tiranë në 17 janar, u shpreh mbrëmjen e sotme se nuk ka informacion që mbështetësit e Gulenit përbëjnë rrezik për Shqipërinë.
“Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe prandaj duhen dëgjuar sikur thuhen dhe fjalia është shumë e qartë “parakusht vëllazërie” është t’i thuash mikut të vërtetën sado e hidhur të jetë ajo. Dmth, lidhet me thënien e një të vërtetë, si parakusht vëllazërie, jo parakusht vëllazëri cështja, por të themi të vërtetën mbi çështjen.
Duhet të bëni diçka, ai e ka thënë dhe thotë vazhdimisht, ne e dëgjojmë me shumë respekt dhe nuk kemi ndenjur me duart lidhur. Kemi pasur raste personash problematikë në raport me shtetin shqiptar, dokumentacionin për të qëndruar dhe kemi vepruar.
Koncepti, qasja në fjalë do të thotë se kjo është një organizatë që atë që bëri atje mund ta bëjë këtu, por ne nuk kemi pasur të dhëna që po organizohet një gjë e tillë. Por elementë që nuk paraqiten në rregull në kontekstin e legjislacionit dhe në raport me qëndrimin në Shqipëri patjetër që janë problem” tha ai te “Open”.
Presidenti i Turqisë Rexhep Erdogan gjatë vizitës në Shqipëri foli me tone të ashpra në Parlamentin e Shqipërisë kundër Lëvizjes Gulen duke kushtëzuar rifillimin e punimeve për përfundimin e Xhamisë së Namazgjasë me goditjen e kësaj lëvizjeje nga qeveria shqiptare.
Deklarata e Erdoganit në Kuvend shkaktoi mjaft reagime, pasi u quajt si një ndërhyrje e një shteti të huaj në punët e brendshme të Shqipërisë. Por Edi Rama tha sonte se këtë gjë, Erdogan “e ka thënë dhe e thotë vazhdimisht” por theksoi se nuk kemi të dhëna që mbështetësit e Gulenit përbëjnë rrezik për Shqipërinë.