Një shtetas turk është ndaluar nga policia kufitare e Morinës. 35-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, për vjedhje dhe plagosje.

“Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas zbatimit të marrëveshjes për qarkullimin e lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kufitare. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës dhe si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua nga Sektori për Hetimin e Krimeve i DVP Kukës, me qëllim ekstradimin në Gjermani, shtetasi turk 35 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë vijojnë procedurat për ekstradimin e 35-vjeçarit në Gjermani.