Një drejtor juridik pranë Institutit të Sigurimeve Shëndetësore në Durrës (ISSH) dhe arshivistja e këtij institucioni, janë arrestuar ditën e djeshme, për një rast korrupsioni në vlerën prej 500 mijë lekë të vjetra.
Ky rast mitmarje është ndjekur nga prokurorja e Durrësit, Englantina Shehu, e cila teksa ka bashkëpunuar dhe me një emision investigativ, ka filluar ndjekjen penale kryesisht për dy zyrtarët, Isa Sejko me detyrë drejtor juridik pranë ISSH-së Durrës dhe Ardiana Nazexhi arshiviste pranë këtij institucioni.
Ndaj këtyre dy zyrtarëve me kërkesë të prokurorisë Durrës, është nxjerë nga gjykata vendimi i ndalimit, duke u ekzekutuar më pas nga policia e Durrësit.
Bëhet fjalë për një episod korrupsioni në administratën e ISSH-së në Durrës, ku juristi Isa Sejko dhe shefja e arshivës Ardiana Nazexhi, i kanë marë 500 mijë lek të vjetra një qytetari i cili po përgatiste dosjen për të dalë në pension invaliditeti.
Qytetari kërkonte të gjente kontributet e viteve të punës së tij, por zyrtarët e ISSH-së Durrës i kanë kërkuar 500 mijë lekë të vjetra, në këmbim të gjetjes së dokumentacionit për kontributet shëndetësore.
Në kushtet kur është përballur me këtë situatë, qytetari ka vendosur të denoncojë në media dhe prokurori, duke çuar në arrestim dy zyrtarët e ISSH-së Durrës.
Pritet që ditën e nesërme ata të dalin para gjykatës së Durrësit, për tu njohur me masën e sigurisë që do kërkojë përfaqësuesja e akuzës, Englantina Shehu