Ky vit u ka treguar të gjithëve se të bësh gjithçka që mundesh për të forcuar sistemin imunitar është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe një rol kryesor kanë ushqimet që konsumoni. Përqendrimi në një regjim të shëndetshëm dhe të ekuilibruar ushqimor, gjumi, reduktimi i stresit dhe aktiviteti fizik, janë faktorët kryesorë për të pasur një sismtem të fortë imunitar.

Më poshtë keni një listë të ushqimeve të cilat dobësojnë sistemin tuaj imunitar, së bashku me disa sugjerime se çfarë mund të konsumoni në vend të tyre.

Pijet freskuese
Nuk është për t’u habitur që pijet freskuese janë të larta në sheqer dhe kalori, e gjithashtu nuk kanë ndonjë vlerë ushqyese. Ato mund të çojnë në shtim të peshës deri në mbipeshë dhe të dobësojnë sistemin imunitar. Zgjidhja e duhur janë lëngjet pa sheqerna të shtuara dhe pa konsevantë.

Ushqimet e Skuqura
Ushqimet e skuqura përmbajnë shumë yndyrë, kjo ndikon negativisht në mikrobiomën e zorrëve, e cila luan një rol të rëndësishëm në funksionin imunitar. Ju mund të zgjidhni pjekjen në vend të skuqjes, për të ulur sasinë e yndyrës dhe kalorive.

Alkooli
Konsumi i tepërt i alkoolit, mund të dobësojë sistemin imunitar dhe gjithashtu të prishë gjumin, një aspekt tjetër që mund të ndikojë tek imuniteti. Në vend të tij provoni të pini një spritzer, i cili është verë me ujë të gazuar, për të zvogëluar marrjen e alkoolit dhe për të qëndruar të hidratuar.

Ëmbëlsirat
Sheqernat e përpunuara, si ato që gjenden tek karamelet, çokollatat, kosi i frutave mund të rrisin shënjuesit inflamatorë në trup, duke ndikuar negativisht në sistemin imunitar. Në vend të tyre mbushni një tas manaferra ose fruta të ndryshme, të cilat janë plot me vitamina dhe antioksidantë, që ndihmojnë në luftimin e inflamacionit.

Pijet energjike
Pijet energjike kanë tendencë të jenë po aq të larta ose edhe më të larta, në sheqer sesa pije freskuese. Për më tepër, pijet energjike kanë një përmbajtje shumë të lartë të kafeinës, që mund të rrisë inflamacionin në trup. Në vend të tyre, ekspertët sugjerojnë të bëni një gjumë të mirë, për të qëndruar zgjuar dhe për të qenë më vigjilent.

Akulloret
Akullorja mund të ketë deri në gjashtë herë sasinë e sheqerit që ju duhet për tërë ditën dhe rrit inflamacionin në trup. Një një kos i thjeshtë ose kefiri, të cilëve mund t’i shtoni arra, fruta ose mjaltë do të bëjë mrekulli për shëndetin e zorrëve dhe për imunitetin.

Fast Food-et
Mund të jetë e vështirë për t’u bërë, por shmangia e ushqimeve të shpejta që përmbajnë shumë kalori, yndyrna të ngopura, natrium dhe sheqer është ideale për të mbrojtur sistemin tuaj imunitar. Ju mund t’i përgatisni lehtësisht vetë sanduiçët, me ushqime të freskëta dhe shëndetshme.

Patatinat
Patatinat janë të përpunuara dhe me pak lëndë ushqyese, e kur konsumohen në sasi të larta mund të ndikojnë negativisht në shëndetin tuaj. Në vend të tyre mund të konsumoni arrorët, të cilat ofrojnë një treshe të shëndetshme të proteinave, fibrave dhe yndyrnave të shëndetshme, së bashku me lëndë ushqyese si zinku dhe seleni.

Ushqimet që përmbajnë shumë natrium
Shmangia e natriumit është e vështirë, veçanërisht sepse gjendet në shumë ushqime, duke përfshirë ushqimet e ngrira, supa e konservuar, perimet, djathi, pica, mezet e lehta dhe mishi. Konsumi i lartë i natriumit, mund të rrisë presionin e gjakut dhe gjithashtu të ketë efekt negativ në funksionimin imunitar. Minimizoni marrjen e natriumit dhe shmangni çdo ushqim me përmbajtje të lartë natriumi./AgroWeb