Në një kohë kur ekonomia kineze po përballet me sfida të shumta, përfshirë mungesën e energjisë elektrike dhe probleme me zinxhirin e furnizimit, duke krijuar shqetësime për sektorin e industrisë, një krizë në rritje e sektorit të pasurive të paluajtshme, kërcënon të krijojë edhe më shumë probleme.

Prej muajsh, një krizë që po përparon ngadalë, e që lidhet me pamundësinë për të paguar nga ana e grupit kinez “Evergrande”, një nga kompanitë më të mëdha në vend në fushën e pasurive të paluajtshme, ka vënë në qendër të vëmendjes këtë sektor.

Sektori i pasurive të paluajtshme përbën një pjesë shumë të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kinës, krahasuar me shumicën e vendeve të zhvilluara, rreth 30 për qind.

Kriza është përshpejtuar ditët e fundit dhe shumë kompani të tjera që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë po ndeshen me pamundësi për të paguar detyrimet e tyre ndaj investitorëve, ose u kanë kërkuar kreditorëve të tyre t’u shtyjnë në kohë pagesat.

Ekspertët paralajmërojnë se përkeqësimi i situatës në sektorin kinez të pasurive të paluajtshme mund të çojë në hezitimin e investitorëve të huaj për t’u besuar kompanive kineze në përgjithësi, një lajm i keq në një kohë kur qeveria e këtij vendi po bën përpjekje për të menaxhuar probleme të shumta.

Mungesa e energjisë

Kriza në sektorin e pronave vjen në një periudhë posaçërisht të keqe për Kinën, e cila përballet aktualisht me mungesë të qymyrit në shkallë të gjerë, të cilin e përdor për të prodhuar rreth 70% të energjisë elektrike të vendit.

Mungesa e qymyrit nxitet nga një sërë faktorësh, mes tyre vendimi i Pekinit për të bojkotuar qymyrin australian. Ky vendim hyri në fuqi vitin e kaluar pasi autoritetet në Kanberra kërkuan një hetim mbi origjinën e pandemisë së COVID-19, e cila u shfaq për herë të parë në Kinë.

Kina ka vendosur gjithashtu një sërë rregullash të reja mbi minierat e qymyrit