Kështilli i Lartë i Prokurorisë ka bërë me dije se ka rënë dakord për hartën e re gjyqësore, pasi sipas tyre nuk bie ndesh me interesat e sistemit të prokurorisë.
Në një dekratë publike kryetari i KLP, Alfred Balla, shpreh shqetësimin për moszgjidhjen e pretendimeve të bëra nga avokatët, ndërsa e cilëson si veprim ekstrem bojkotin e këtyre të fundit.
Reagimi i plotë i Alfred Ballës:
KLP-ja shpreh shqetësim për moszgjidhjen me forma të tjera të pretendimeve të avokatëve shqiptarë për sa i takon projekt hartës së re gjyqësore. Ne me ligj nuk kemi qenë pjesë e hartimit të hartës, ndonëse personalisht mendoj se duhet të caktohet në ligj që të jemi si KLGj-ja dhe MD-ja në grupet e punës. Si Këshill dhamë vetëm një opinion mbi vendimarrjen e KLGj-së dhe ishim dakort në parim me projektin pasi ai nuk bie ndesh me interesat e sistemit të prokurorisë. Sistemi i prokurorisë tek ne është i ndërlidhur e vepron pranë atij gjyqësor.
Këtë dakordësi me hartën e ka shprehur edhe Prokurori i Përgjithshëm i cili ndryshe nga ne, ka qenë pjesë e konsultimeve publike nëpër Shqipëri këtë 6 mujor. Për hartën e re gjyqësore, këndvështrimet ligjore, praktike, teorike, rajonale etj., janë normale të jenë pa fund. Personalisht mendoj se zëri i avokatëve duhet dëgjuar në tavolinë.
Nga ana tjetër bojkoti i seancave penale me të arrestuar ku një pjesë mund të jenë të rrezikshëm, më duket ekstrem. Avokatët si profesionistë të lirë mund të ofrojnë apo jo ndihmë juridike për qytetarët, por avokatët e caktuar kryesisht, ashtu si kanë komoditetin që një pjesë të punës ua “gjen” shteti, ashtu duhet të marrin përsipër detyrimin t’u përgjigjen gjykatave dhe prokurorive.
Mundet që iniciativa jonë ligjore e radhës të jetë për të ndaluar me ligj bojkotin ose grevën në këtë pjesë të mbrojtjes (masa sigurimi, asistenca gjatë marrjes në pyetje e të miturve, verifikimi i kushteve të zbatimit të masave të sigirimit personal etj.)
Ashtu si dhe në disa sektorë jetësorë të shoqërisë shqiptare (polici, mjekësi, zjarrfikës etj.,) edhe këtu mund të vendoset një kufizim i tillë pasi interesi shoqëror për mbrojtjen nga eksponenti kriminal prevalon mbi atë të formulimit apo adresimit të kërkesave të një grupi shoqëror sado i rëndësishëm është ky grupim.