Udineze e ka seriozisht për portierin e Dinamos, Simon Simoni. Ashtu siç gazeta ka bërë të ditur më parë, klubi i njohur i Serisë A është i interesuar për 17-vjeçarin të bluve dhe të Kombëtares U-21, i cili këtë sezon ka bërë paraqitje shumë të mira.
Pasi kanë parë video të ndeshjeve të Simonit me Dinamon dhe Shpresat, përfaqësuesit e Udinezes kanë vendosur të vijnë dhe ta ndjekin nga afër portierin premtues.
Gazeta mëson se italianët kanë zgjedhur këtë fundjavë për të ardhur në Shqipëri dhe do të jenë të pranishëm në stadiumin “Elbasan Arena” të dielën, ku Dinamo do të përballet me Teutën. Serxho Markon, ish-portier i disa skuadrave në Itali, aktualisht përgatitës portierësh pranë klubit të Udinezes, do të ndjekë “live” portierin e bluve ndaj Teutës. / Panorama sport