Nga:Astrit Patozi
Kur u thoja qysh në nisje të sherrit se nuk kishin rrugë tjetër, veçse të ndaheshin, më shikonin të çuditur, të mërzitur dhe me mosbesim.
Më normalët mendonin se e kisha nga inati për atë që na bënë vite të shkuara, kur bashkëpronarët e partisë ndodheshin në kulmin e dashurisë midis tyre. Në fjalorin e ri të “foltores” ajo ngjarje konsiderohet tashmë si ekzekutim politik në pusi.
Ata më budallenjtë vazhdonin tē më quanin armik të Partisë Demokratike, ndonëse udhëheqësit e tyre na kishin rehabilituar, madje na kishin kërkuar falje dhe ndihmë. Sipas meje, jo si reflektim, por si një nevojë për të kaluar lumin.
Dhe koha më dha sërish të drejtë. Sepse në fillim dështuan të arrijnë një marrëveshje, kur me sa duket u pa qartë se besëpreri i përjetshëm dhe besëmbajturi i pranuar pa vërtetim nuk mund të bashkëjetonin më nën të njëjtën çati.
Pastaj shmangën në mënyrë hileqare betejën normale në një Kuvend, ku duhej të ndanin me votë shumicën nga pakica. Atë që socialistët e kishin bërë 22 vjet më parë, kur u gjendën në të njëjtin hall, por që e kapërcyen, gjithësesi, me përgjegjshmëri politike, pavarësisht nga motivet.
Duke na treguar se ishin shndërruar realisht në dy parti të ndryshme, me interesa, objektiva, strategji dhe me pritshmëri të pangjashme nga njëra-tjetra.
Ndaj edhe nuk çuditem fare nga këto zhvillimet dramatike dhe qesharake në selinë e SHQUP-it, sepse nuk e them dot që është e Partisë Demokratike, nga frika se ata mund të fillojnë e të zihen prapë nga e para për pronësinë e siglës.