Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka bërë me dije se pas shqyrtimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe provave të çështjes, gjeti se gjyqtarja Anila Guri duhej të konfirmohej në detyrë.

Në vendimin e përmbledhur Kolegji shprehet se Guri nuk mund të mbahej përgjegjëse për ndërtimin e një shtëpie nga bashkëshorti para martese.

Po ashtu KPA vuri në dukje se bilanci negativ i gjyqtares i rillogaritur në Kolegj ishte “konsiderueshëm më i ulët” se ai i gjetur nga KPK.

Kolegji njoftoi se trupa e gjeti të padrejtë vendimin e Komisionit për shkarkimin e gjyqtares dhe vendosi ta prishë atë.

Guri, e cila u shqyrtua me përparësi në veting për shkak se kandidoi për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, u shkarkua nga KPK për pamundësi financiare në disa vite në vlerën 2.1 milionë lekë, deklarime të pasakta dhe mungesë burimesh për blerjen e një makine.

Guri e ankoi vendimin dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi se ankimi në fjalë u kalua në seancë publike pas shqyrtimit fillestar në dhomë këshillimi “Me qëllim konstatimin e drejtë dhe në mënyrë të plotë të gjendjes faktike të çështjes në shqyrtim”. Pas këtij rishqyrtimi KPA gjeti të pabazuar vendimin e KPK.