Ersid Nuho dhe Aleksander Llaçaj, dy të rinj nga Fieri, janë koleksionistë të dhjetëra këmborëve dhe zileve që mbajnë bagëtitë.
Pasioni për këtë koleksion erdhi nga disa këmbena të trashëguara nga gjyshërit e tyre, të cilët kishin ardhur nga Çamëria me një tufë prej mbi 600 krerë dele.
“Dëshira për t’i koleksionuar më lindi nga këto zile që i kam trashëguar nga gjyshi. Ato janë përdorur për blegtorinë, por unë vazhdoj t’i mbledh sepse i kam pasion dhe dua të ruaj traditën”, tha Arsid Nuho, koleksionist këmborash.
Këmborët dhe zilet, me madhësi dhe forma të ndryshme, që peshojnë 6 deri në 7kg, lëshojnë tinguj të ndryshëm dhe përdoren zakonisht kur bagëtitë janë në shtegtim.
“Ne kemi zile që janë mbi 150 vjeçare. Sot, në stallat moderne në botë përdoret muzikë klasike, ndërsa gjyshërit tanë kishin zgjedhur që me këmbora dhe zile të bënin melodi për bagëtitë. Ne do të vazhdojmë të mbledhim dhe të ruajmë sa më shumë traditën dhe atë që e kemi trashëgimi nga gjyshërit tanë”, tha koleksionisti i këmborash, Aleksander Llaçaj.
Kështu, Aleksandri dhe Ersidi jo vetëm që mbajnë gjallë traditën e të parëve të tyre, por edhe krijojnë një lidhje të veçantë me historinë dhe kulturën e zonës së tyre.
Top Channel