Kolesteroli i lartë, i njohur si hiperkolesterolemia është një faktor risku madhor për sëmundjet kardiake dhe infarktin e trurit. Nivelet jo normale të LDL- kolesterol (i njohur si kolesteroli i keq) dhe HDL kolesteroli (i njohur si kolesteroli i mirë) trajtohen me dietë me përmbajtje të ulët yndyre, rritjen e aktivitet fizik, si dhe medikamente.
Ne mund të lidhim kolesterolin e lartë me ushqimet e pasura me yndyrë, por shumica e kolesterolit total në organizëm prodhohet në trupin tonë. Mëlçia prodhon 75% të kolesterolit që qarkullon në organizëm, pjesa tjetër prej 25% vjen nga ushqimet. Në kushte normale kolesteroli ndihmon qelizën në punën dhe rolin e saj.
Ekziston një lidhje ndërmjet kolesterolit të lartë, sëmundjeve kardiake, infarktit të trurit, diabetit dhe enëve të gjakut, që shoqërohet me një rrezik të lartë për sëmundjet kardiovaskulare. Kjo përfshin sëmundjen e arterieve koronare, infarktin e trurit dhe sëmundjen vaskulare periferike. Kolesteroli i lartë gjithashtu lidhet me diabetin dhe hipertensionin. Parandalimi apo menaxhimi i këtyre problemeve kërkon njohjen, bashkëpunimin me mjekun e pacientin.
Diabeti mund të prishi balancën midis nivelit të HDL dhe LDL kolesterolit. Njerëzit që kanë diabet kanë predispozitën të kenë vlera të larta të LDL të cilat ngjiten në muret e enëve e gjakut dhe dëmtojnë më lehtë ato. Glukoza ngjitet me lipoproteinat (të cilat bëjnë transportin e kolesterolit në gjak). Në këto kushte kompleksi glukoze – LDL qëndron më gjatë në qarkullimin e gjakut duke çuar në formimin e pllakës yndyrore. Njerëzit me diabet kanë tendencën të kenë nivele të ulëta të HDL dhe TG të larta, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut.