📢Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të monitorimit në terren, të protestës së zhvilluar më 2 korrik 2026 përpara Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë, si dhe për përdorimin e forces joproporcionale nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

📌KShH rithekson se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore e garantuar në nenin 47 të Kushtetutës së RSH dhe nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Detyrimi i institucioneve shtetërore nuk kufizohet vetëm në lejimin formal të protestës, por përfshin edhe krijimin e kushteve që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të sigurt dhe pa u ekspozuar ndaj përdorimit të panevojshëm ose joproporcional të forcës.

📌Nga monitorimi i KShH rezulton se protesta kishte karakter kryesisht paqësor dhe situata ishte nën kontroll për një periudhë të gjatë kohe. Megjithatë, aktet e dhunshme[1] të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve. Në raport me nenin 11 të Konventës Evropiane, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se aktet e izoluara të dhunës (hedhja e vezëve, gurë nga individë të veçantë) nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi dhe as nuk i heqin mbrojtjen pjesëmarrësve paqësorë (Kudrevičius [DHM]; Ziliberberg k. Moldavisë, 2005; Frumkin k. Rusisë, 2016).

📌KShH vëren me shqetësim se, pas incidentit me automjetet që tentuan të dilnin nga ambientet e Kuvendit, sjellja e forcave të policisë ndryshoi në mënyrë të menjëhershme. Sipas monitorimit në terren, brenda një kohe të shkurtër u kalua nga një situatë e qetë te rrethimi dhe shtyrja e protestuesve dhe më pas te përdorimi i gazit lotsjellës.

📌Veçanërisht shqetësues është fakti se përdorimi i gazit lotsjellës, sipas vëzhgimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe rrjedhimisht as nga dhënia e një kohe të arsyeshme për shpërndarje vullnetare. Përdorimi i mjeteve të tilla, të cilat prekin në mënyrë të padiferencuar edhe protestuesit paqësorë, gazetarët, vëzhguesit dhe persona të tjerë të pranishëm në protestën e djeshme, duhet të ishin masë e fundit, e domosdoshme dhe proporcionale. Referuara standarteve të Gjykatës së Strasburgut, lidhur me nenin 3 dhe 11 të KEDNJ, përdorimi i mjeteve kimike pa paralajmërim dhe pa lënë kohë për shpërndarje vullnetare mund të përbëjë keqtrajtim dhe ndërhyrje joproporcionale në tubim (Abdullah Yaşa dhe të tjerë k. Turqisë, 2013; Ataykaya k. Turqisë, 2014; Oya Ataman k. Turqisë, 2006). Ligji ynë nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, në nenin 12 dhe 32/3 parashikojn se paralajmërimi është parakusht i detyrueshëm para përdorimit të forces.

📌KShH shpreh shqetësim të veçantë për rastet e vëzhguara të përdorimit të forcës ndaj personave që ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë. Përdorimi i shkopinjve të gomës, goditjeve, grushteve apo formave të tjera të forcës ndaj personave të shtrirë në tokë dhe të rrethuar nga disa punonjës policie që nuk paraqesin më rrezik dhe nuk bëjnë rezistencë është i papranueshëm dhe kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv. Standartet e elaboruara të GJEDNJ-së lidhur me nenin 3 të KEDNJ nënvizojnë se përdorimi i forcës ndaj një personi tashmë të neutralizuar dhe pa rezistencë përbën trajtim çnjerëzor ose poshtërues; goditjet në fytyrë dhe poshtërimi e cenojnë rëndë dinjitetin (Bouyid k. Belgjikës [DHM]; İzci k. Turqisë, 2013).

Deklaratën e plotë mund ta aksesoni në linun e mëposhtëm:

GEAM Sh.p.k