“Komiteti i Ekspertëve, duke u bazuar në të dhënat e hetimit për rastet e infektuara, duke u bazuar dhe në vijushmërinë e proçesit të vaksinimit si dhe vaksinimin masiv si një nga elementët kryesorë të mbrojtjes nga infeksioni, propozon zgjatjen e orarit të lejuar të muzikës nga 22:00 që e kemi patur, në orën 23:00.
Ndërsa masat e tjera vazhdojnë të mbeten në fuqi, siç kanë qenë më parë dhe që kanë hyrë në fuqi në datën 1 korrik të vitit 2021”, ka njoftuar kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli.
Përveç zgjatjes së orarit të lejimit të muzikës deri në orën 23:00, masat e tjera, si më poshtë, mbeten të pandryshuara: Qarkullimi i qytetarëve dhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve kufizohet nga ora 24.00 – 06:00; lejohen kampionatet sportive me prezence të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP; lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri ne 30% të spektatorëve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të ISHP.